Çmimet vazhdimisht të ngritura ç’ekuilibrojnë mirëqenien e kosovarëve me të ardhura minimaliste

Në Kosovë, mbrenda 13 muajve të fundit janë ngritur çmimet e energjisë elektrike dy herë. Në prill të këtij viti, kur në disa shtete të botës ranë për toke çmimet e rrymës, te ne është rritur çmimi i energjisë elektrike për 15 për qind. Në Kosovë, pra po vazhdon të ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nisë trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit.

Buletni Ekonomik

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që del nga publikimi i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,8% në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022.

Sipas ASK-së, çmimi i perimeve është ngritur për 22,5%, mallrat shtëpiake jo të qëndrueshme për 17,8%; energjia elektrike 15,0%; pemët 11,5%; qumështi, djathi dhe vezët 10,8%; shërbimet për transport 10,0%; buka dhe drithërat 9,2%; mishi 7,7%; mobiliet dhe orenditë 5,7%; shërbimet hoteliere 5,0%; dhe kafja, çaji dhe kakao (4,0%). Dhe, shifrat konkrete për ngritje çmimesh për një numër jo të paktë produktesh dhe shërbimesh (14-15 produkte, së paku), gjithsesi, e bëjnë të diskutueshme të dhënën se “indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,8% në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022”. Kjo, për shkakun se çmimet e 15 e më shumë produkteve, çmimet e të cilave i ka regjistruar ASK-ja, janë ngritur dy-tre herë e 3-4 herë më shumë se sa përqindja e regjistruar e indeksit të çmimeve të konsumit, që ishte sipas ASK-së më i lartë në një mesatare prej 2,8%.

Reklama e sponzorizuar

Pa pretenduar për ta kontestuar metodologjinë e ASK-së për përcaktimin e indeksit të çmimeve në këtë periudhë, dhe krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022, del të jetë i papërfillshëm edhe nga të dhënat që këto ditë i bëri publike njohësi i ekonomisë dhe vrojtuesi i vëmendshëm i lëvizjes së çmimeve në vendin tonë, Safet Gërxhaliu, i cili ka pasqyruar goxha saktë ngritjen e çmimeve duke krahasuar çmimet e disa prej produkteve bazike, në vitin 2022, me çmimet e sotshme.

Gërxhaliut në vitin 2022 ka vizituar disa markete dhe gjatë këtyre vizitave ka fotografuar çmimet e disa produkteve verore, ndërsa ato i ka krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte në korrikun e vitit 2023. Sipas evidencave të Gërxhaliut, – Specat në vitin 2022 kushtonin 60 centë, ndërsa në vitin 2023 kushtojnë 1.29 euro; shalqini nē korrik të vitit 2022 kushtonte 20 centë – sot 51 centë; – qepët në korrik të vitit 2022 kushtonin 49 centë, ndërsa në korrikun e sivjetshëm (dhe në të gjithë muajt e sivjetshëm deri më tash) 1.19 centë; patatet në korrik të vitit 2022 kushtonin 20 centë – sot 50 centë; domatet në korrik të vitit 2022 kushtonin 50 centë, dhe në korrikun e sivjetshëm- 80 centë deri nē 1.30 euro për kilogram dhe fruti i bananeve në korrik të vitit 2022 tregtohej 90 centë, e sot 1.29 deri në 1,49 euro.

Prandaj, edhe një herë po e shtrojmë dilemën se prej nga i ka dalë ASK-së, indeksi i çmimeve të konsumit më i lartë në një mesatare vetëm 2,8% në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022.

Sido që të jetë, qytetarët dhe vrojtuesit e zhvillimeve në fushën e çmimeve, këto ngritje çmimesh, thuaja të vazhdueshme, edhe gjatë këtij viti, i konsiderojnë shqetësuese dhe me ndikim qenësor në rrënimin e mëtejshëm të mirëqenies, edhe ashtu të brishtë të shumicës së kosovarëve.

“Çdo gjë është bërë shtrenjtë. Më së shumti godasin në standardin tim, por edhe qindra mijra pensionistëve të tjerë të kosovës, çmimet e ngritura të produkteve elementare ushqimore. Sivjet janë bërë të shtrenjta edhe prodhimet nga arat tona, sidomos perimet. Me pensionin tim prej 100 eurosh mund të siguroj ushqimet e domosdoshme gjithsej për 4-5 ditë”, shprehet tërë nerva një i moshuar kryeqytetas në dalje të një marketi.

Edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka vlerësuar këto ditë për medie se gjendja thuaja është bërë e papërballueshme për pjesën dërmuese të Kosovarëve nga ngritja e vazhdueshme e çmimeve. Sipas tij, “dikush nuk mund të ngopet bukë, sepse me 60 ose 70 euro në ndihmë sociale nuk mund t’i dalë mbanë. As dikush që e ka pagën minimale prej 170 euro nuk mund të ia dalë. Standardi na ka rënë për 10 herë dhe askush nuk brengoset. Ne edhe ashtu i kemi çmimet më të larta se në Bashkimin Evropian, e pagat për 10 herë më të ulëta”.

“Çmimet janë të shtrenjta, edhe në Gjermani janë të njëjta, ndërsa të ardhurat tona nuk janë askund, minimale dhe pakrahasimisht me rrogat në Gjermani, ndërkohë që çmimet janë të njëjta si këtu si atje”, shprehet një qytetar në kryeqytet.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku krahasohen kushtet e jetës në Kosovë në vitin 2020 dhe 2022.

Sipas statistikave të publikuara nga Hoti, në vitin 2022 është rritur ndjeshëm përqindja e ekonomive familjare që s’kanë mundur të përballojnë pagesat. Në vitin 2020, kjo përqindje ishte 12.7 për qind, e në vitin 2022 ishte 19 për qind.

“2020: Rreth 12.7% e ekonomive familjare kishin vështirësi të mëdha në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale dhe gjendjen për të kryer pagesat e nevojshme të zakonshme. 2022: 19% e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, dy herë ose më shumë gjatë vitit”, ka shkruar Hoti.

Është bërë kohë e gjatë qëkur ecuritë e çregulluara dhe jo normale në sektorin e çmimeve në Kosovë, po vazhdojnë pa ndërprerje në Kosovë. Më saktësisht, që nga pandemia e Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase, respektivisht rreth 2 vjet e më shumë, në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi duke mos përfillur nga tregtarët e shumtë në asnjë moment ligjshmërinë e tregut, në radhë të parë me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të konsumit.

Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve te të gjitha produktet, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumica e kosovarëve të varfër nuk po ndalet ende sot e kësaj dite, edhe pse tregjet e botës kanë zënë tashmë të ulin çmimet e shumë produkteve.

Në mbarë botën tashmë, çmimet e energjisë elektrike janë ulur edhe me nga 4-5 herë krahasuar me periudhën e shpërfaqjes së krizës energjetike në botë dhe çmimeve që atëbotë shkuan në stratosferë. Në Kosovë, mbrenda 13 muajve të fundit janë ngritur çmimet e energjisë elektrike dy herë.

Në prill të këtij viti, kur në disa shtete të botës ranë për toke çmimet e rrymës, te ne është rritur çmimi i energjisë elektrike 15 për qind. Në Kosovë, pra po vazhdon të ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nisë trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit.

Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Nuk pati ndonjë efekt në parandalimin e ngritjes abuzive të çmimeve as nga premtimet e panumërta të dhëna publikisht të autoriteteve më të larta të vendit për ndërmarrjen e masave ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale. Këtë po e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të ASK-së.

Në anën tjetër, vazhdon “loja e pingpongut” ndërmejt subjekteve politike të vendit edhe sa i përket gjendjes së pandryshuar në zhvillimet e lëvizjeve të çmimeve. Opozita, vazhdimisht akuzon pozitën për gjithçka, ndërsa kjo e fundit , vazhdon ta kritikojë opozitën për çmimet e ngritura edhe për faktin se e paska “dërguar Ligjin për çmimet tavan në Gjykatën Kushtetuese për interpretim”, pasi sipas tyre, ky ligj do të zgjidhte edhe këtë shqetësim.

Deri kur do të vazhdojë kjo “lojë pozitë – opozitë mbetet të shihet, ndërsa qytetarët e rëndomtë të Kosovës mbetet të gjenden si dijnë dhe si të munden për të mbijetuar edhe në rrethanat e çmimeve vazhdimisht të ngritura. /Buletini Ekonomik/