Dogana e konfirmon se po vazhdon ndalesa e Qeverisë: S’kemi hyrje të mallrave serbe në Kosovë

Dogana e Kosovës e ka konfirmuar se po vazhdon të zbatohet ndalesa që Qeveria e Kosovës kishte vendosur për mallrat nga Serbia, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Gazetës Express se s’ka hyrje të mallrave serbe në Kosovë.

“Nuk kemi hyrje të mallrave serbe në Kosovë”, ka thënë Stavileci për Express.

Reklama e sponzorizuar

Pas vendosjes së kësaj ndalese, pritej lëvizje e çmimeve, meqë shumë produkte importohen nga ky shtet.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se kjo gjë s’ka ndodhur.  Në një përgjigje për Gazetën Express, MINT ka thënë se inspektorët s’ vërejtur ndonjë lëvizje të çmimeve e cila në çfarëdo forme do të ndërlidhej me kontrollet e mallrave serbe në pikat kufitare.

“Inspektorët tanë gjatë inspektimeve të rregullta në terren nuk kanë vërejtur ndonjë lëvizje të çmimeve e cila në çfarëdo forme do të ndërlidhej me kontrollet e mallrave serbe në pikat kufitare.  Prandaj, për aq sa na e vërtetojnë të dhënat nga terreni, ne nuk shohim ndonjë rritje të çmimeve si pasojë e kontrolleve të shtuara në pikat kufitare”, thuhet në përgjigjen e MINT.

Vendosjen e kësaj mase nga Qeveria e Kosovës e kishte kundërshtuar Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një konferencë me gazetarë përmes telefonit para disa javësh, Escobar tha se Kosova duhet ta heq masën e ndalimit për mallrat serbe.

Ai citoi qëndrimin e BE-së, ku tha se është jo-evropiane që të ndalohet lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve dhe për më tepër s’ka as bazë ligjore.

Emisari amerikan kishte thënë se përkrahin pozicionin e BE-së dhe konsiderojnë se një veprim i tillë i Kosovës është një eskalim i panevojshëm i një situatë tashmë të tensionuar.

“Ne besojmë se duhet ta heqin ndalesën për mallrat serbe. BE beson që është jo-evropiane për të ndaluar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, por edhe s’ka bazë ligjore. Ne si SHBA mbështesim një pozicion të tillë dhe konsiderojmë si një eskalim të panevojshëm të një situatë që është e tensionuar”, deklaroi Escobar.

Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare, duke thënë se janë vendosur për çështje të sigurisë.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, ka deklaruar Kurti.