Dy emrat që po e synojnë pozitën e drejtorit të Inteligjencës Financiare

Behar Xhema është kandidati me më së shumti gjasa për t’u bërë drejtor i Njësisë për Inteligjencë Financiare. Emri i tij është i pari në listën e britanikëve me më së shumti pikë, pas procesit të intervistimit te kryer më 11 korrik 2023.

Xhema aktualisht është zëvendësdrejtor i kësaj njësie, ndërsa ishte më i poentuari edhe në një konkurs tjetër të mbajtur gjatë vitit 2022.

Xhema, në listën e britanikëve, ka gjithsej 34.5 pikë, i pasuar nga kandidati tjetër, Fetah Zejnullahu, me 24.0 pikë.

Reklama e sponzorizuar

Nga Ambasada Britanike kanë konfirmuar për Buletinin Ekonomik se “procesi intervistues për Drejtor të Njësisë për Inteligjencë Financiare është kompletuar prej nga kanë dalë dy kandidatë të emërueshëm për pozitën e Drejtorit.”

“Emrat nga lista e ngushtë korrespondojnë me listën e publikuar nga Ministria e Financave”, thuhet në përgjigjet e Ambasadës.

Tashmë raporti me emrat e kandidatëve të rekomanduar i është dërguar Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave.

Ndryshe Ministri i Financave, Hekuran Murati, vitin e kaluar, e kishte anuluar konkursin për drejtor të Njësisë për Inteligjencë Financiare për shkak se asnjë nga kandidatët nuk kishin arritur të marrin 70% të pikëve, pragu i nevojshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Pragun prej 70% e ka vendosur ministri i Financave, Hekuran Murati në vendimin për themelimin e Komisionit Vlerësues për drejtor të Njësisë për Inteligjencë Financiare.

“Pas përfundimit të fazave intervistuese, Komisioni për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistimin e Kandidatëve për pozitës e Drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare kanë rekomanduar të anulohet konkursi për shkak të mungesës së arritjes së pragut vlerësues të kërkuar për këtë pozitë nga ana e kandidatëve”, thuhej në vendimin e ministrit Murati. /Buletini Ekonomik/