Emanuel Bajra zgjidhet kryetar i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale

Emanuel Bajra është zgjedhur ditën e enjte kryetar i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës.

Në një postim të bërë në Facebook, Bajra ka thënë se mandati që i është dhënë nga Kuvendi i Kosovës, mbartë me vete përgjegjësi të mëdha në një kohë sfiduese.

Gjithashtu, ai është zotuar se do zbatojë mandatin me dinjitet dhe profesionalizëm, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

“Ky është një privilegj i rrallë për mua, andaj edhe do ta zbatojë mandatin tim si kryetar Bordi me përpikëri, dinjitet dhe profesionalizëm në interes të Fondit dhe ekonomisë së vendit”, është shprehur ai.

Më poshtë njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Të dashur miq e familjarë,

Sot pas një dite sfiduese dhe të vështirë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të gjatë dhe maratonike, më ka dhënë besimin që ti jap drejtim punëve në pozicionin e Kryetarit të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës – Fondit Pensional-TRUST.

Ky mandat që më është ngarkuar nga Kuvendi i Republikës, është i rëndësishëm për Fondin Pensional dhe kursimet e pension-kontribuuesve tanë, por po ashtu mbart me vete edhe përgjegjësi të mëdha në një kohë sfiduese për tregjet globale si edhe peizazhin e përgjithshëm ekonomik, politik e gjeopolitik global.

Megjithatë, unë jam optimist dhe shumë i vendosur që ta ndihmoj Fondin Pensional që ti notojmë këto ujëra të dendura me sukses, duke funksionuar si një ekip me një mision të rëndësishëm – atë të mbrojtjes së interesave ekonomike të kontribut-dhënësve tanë si edhe rritjen e vlerës investuese të Fondit Pensional në proces.

Ky nuk do të jetë një udhëtim i lehtë.

Por unë jam i vendosur që së bashku me ekipin e fondit, ta shndërrojmë këtë përgjegjësi të privilegjuar në një sukses në të mirë të vendit.

Ky është një privilegj i rrallë për mua, andaj edhe do ta zbatoj mandatin tim si Kryetar Bordi me përpikëri, dinjitet dhe profesionalizëm në interes të Fondit dhe ekonomisë së vendit.

Falënderoj përzemërsisht deputetët e Kuvendit të Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Guvernatorin, Kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Ministrat dhe Qeverinë për besimin e dhënë.
Ju faleminderit!

*Pos këtij postimi në këtë faqe, në të ardhmen, mendimet, postimet ose edhe reagimet që do të mund të bëhen në faqen time personale në facebook do të jenë të kufizuara për shkak të natyrës së përgjegjësisë që do të kem, diskrecionit profesional si edhe detyrave dhe obligimeve si zyrtar i lartë i shtetit.

**Po ashtu, të gjitha postimet në këtë faqe do të jenë në emër timin personal dhe ato nuk do të përfaqësojnë mendimet ose politikat qeverisëse të Fondit Pensional ose të ndonjë entiteti tjetër ku unë do të mund të jem vendimmarrës.

***Mendimet e mia në lidhje me TRUST-in dhe që kanë të bëjnë me fondin do të shprehen në kanale zyrtare nëpërmjet TRUST-it.
Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj”. /Telegrafi/