Gërxhaliu: Deputetët të bëjnë kuorumin, të votojnë bordin e Trustit

Pas dështimit të votimit të anëtarëve të bordit të Trustit, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka reaguar duke kërkuar bashkëpunim dhe trajtim serioz të këtij procesi.

Madje Gërxhaliu ka thënë se ky mos votim shkakton pasoja të dëmshme dhe ndikon në stabilitet të vendit.

“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të zhvillojmë mekanizma për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen. Komunikimi i hapur dhe transparent, si dhe ndërgjegjësimi i të gjithë aktorëve për rëndësinë e kuorumit dhe përgjegjësitë e tyre, mund të kontribuojnë në përmirësimin e strukturës dhe funksionimit të Trustit”, ka shkruar Gërxhaliu.

Reklama e sponzorizuar

Më tej ka shtuar se duhet bashkëpunim për të rikthyer besimin në proceset vendimmarëse të Trustit.

Lajmin për dështimin e procesit të votimit të anëtarëve në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ka dhënë dje ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, duke e fajësuar opozitën për këtë çështje.

“Para disa muajsh opozita bënte alarm e shpërndante panik se si gjoja mjetet e Trustit po rrezikoheshin për shkak të mungesës së bordit. E njëjta opozitë sot në Komisionin Parlamentar për Buxhet pamundëson kuorumin dhe votimin e anëtarëve të bordit të Trustit pa kurrfarë arsye”, kishte shkruar Murati.

Kandidatët e propozuar për anëtarë të bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale kanë qenë Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria-Bengochea dhe Trim Shala.