Gërxhaliu: Sektori privat duhet të jetë partner strategjik i institucioneve

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një intervistë në emisionin “INFO Plus” në RTK ka theksuar se agjenda politike dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po merr orientimin më të madh. Por, ai tha se kjo nuk duhet të jetë vetëm në aspektin politik, duhet të orientuar edhe në ekonomi.

Safet Gërxhaliu në “INFO Plus” në RTK duke folur për investimet publike të Qeverisë, ka thënë se sektori privat duhet të jetë partner strategjik i institucioneve.

“Është një ngufatje e cila vë në situatë të pakënaqur. Çdo ditë e më tepër po vërehet se çdo pore e Kosovës ka nevojë për investime, por kjo nuk po ndodh”, ka theksuar ai.

Reklama e sponzorizuar

Eksperti i ekonomisë tha se në planifikimin buxhetor dhe në parashikimin për të investuar në vitin 2023 ka pasur një zotim, mirëpo ajo çka është zotuar nuk po zbatohet në praktikë.

“Tek në qershor kemi një rifillim të një projekti të madh që ka të bëjë me rrugën prej Prishtinës për në Podujevë. Kemi filluar pjesërisht një punë sa i përket kompletimit të autorrugës për në Gjilan, mirëpo lind pyetja se çka është duke ndodhur në drejtim të Pejës dhe Mitrovicës. Të gjithat këto janë argumente që ka nevojë për investime”, shtoi ai.

Gërxhaliu u shpreh se çështja e investimeve kapitale duhet të depolitizohet.

“Duhet të ketë orientim në fizibilitet të projekteve dhe jo në përkatësi politike, apo edhe në çështje tjera që e dëmtojnë këtë implementim”, ka theksuar ai.

Sipas tij duhet të ketë më tepër dialog ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve që i monitorojnë këto projekte.

“Nuk është zgjidhje ngufatja, zgjidhje është investimi dhe mundësitë për punësim. Çdo ngufatje do ta cenojë stabilitetin bankar e financiar në Kosovë, prandaj duhet e të jemi më aktiv në këtë drejtim. Duhet të krijohet një frymë e re për sektorin privat”.

“Kemi ngritje të çmimeve, kemi inflacion dhe shumë shtete janë në resensioin. Një qasje e tillë do ta ngulfatë sektorin privat dhe nuk jetohet vetëm nga investimet e diasporës”, ka nënvizuar Gërxhaliu.