KEDS investon 350 mijë euro në Gurbardh të Malishevës

KEDS-i po vazhdon me implementimin e projekteve anembanë Kosovës. Së fundi është realizuar projekti i eliminimit të rrjetit të vjetër elektrik dhe i vendosjes së rrjetit të ri në fshatin Gurbardh të Malishevës.

Korab Zymeri-inxhinier në KEDS dhe mbikëqyrës i këtij projekti, flet për vështirësitë që banorët e këtij fshati i kanë pasur me furnizim me energji elektrike dhe stabilitetin në furnizim dhe siguri që u ofron rrjeti i ri energjetik.

“Rrjeti ka qenë i vjetër! Ai ka kaluar përgjatë maleve e livadheve të banorëve, çka shpeshherë ekipeve të KEDS-it u ka krijuar edhe vështirësi në mirëmbajtje për shkak të qasjes së vështirë me makineri”, thotë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai thekson se rrjeti i ri tashmë është instaluar përgjatë rrugës kryesore të fshatit Gurbardh, duke shtuar se “me instalimin e këtij rrjeti, konsumatorët tanë kanë siguri dhe furnizim stabil me energji elektrike”.

Qazim Berisha, banor i këtij fshati, falënderon KEDS-in për instalimin e rrjetit të ri elektrik, duke kujtuar disa dekada më parë kur ai me vetëfinancim e kishte sjellë një pjesë të rrjetit elektrik deri te shtëpia ku banon.

“Jemi shumë të kënaqur me rrjetin e ri elektrik. Kjo është një punë e mrekullueshme dhe, mbi të gjitha, një punë që përkon me standarde të larta. Unë kam punuar një kohë të gjatë në Perëndim dhe e di saktë se si bëhet një punë sipas standardeve. Ky rrjet është njëri nga ato punë”, u shpreh ai.

Projekti i Gurbardhit përkon me vendosjen e më shumë se treqind shtyllave të tensionit të mesëm dhe të ulët, afër 240 ormanëve, katër transformatorëve dhe dy trafo-shtyllave. Projekti kap një vlerë prej afër 350,000 eurosh dhe prej tij tashmë po përfitojnë më shumë se 1,000 banorë.

Në kuadër të këtij Lot-i, punimet janë duke vazhduar në linjën 10(20) kV Mirusha, prej të cilit projekt do të përfitojnë një numër i caktuar i konsumatorëve.