Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, deklaroi se ka vetëdijesim nga qytetarët për të paguar tarifat e energjisë elektrike, derisa tha se pagesat janë relativisht të kënaqshme.
Ai tha se çështja e pagesave po ecën mbarë, ndërsa bëri thirrje që kursimi i energjisë të jetë praktikë e tërë shoqërisë.
“Ka një vetëdijesim dhe pagesat relativisht janë të kënaqshme, por KEDS-i funksionon për t’i mbuluar shpenzimet e saj, duke u bazuar në ligjet mbi energjetiken dhe rregulloret e paracaktuara, si është rregulloja për shkyçje dhe kyçje. Pagesat janë të kënaqshme dhe po ecin mbarë”, tha Krasniqi.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, tarifa verore ka nisur më 1 prill dhe zgjat deri më 1 tetor, ku qytetarët mund të shfrytëzojnë periudhën nga ora 23:00 deri në 08:00 për ta shfrytëzuar, ndërsa ajo dimërorja është nga 22:00 deri në 07:00.
Krasniqi tha se për shkak të temperaturave të larta, energjia elektrike shpenzohet më pak gjatë verës.
“Ne kemi një furnizim të rregullt me energji, prodhimi vendor i energjisë elektrike po shkon nga 550 deri në 600 megavat për orë. Konsumi tash në verë është më i ulët, kemi konsum në kohën e pikut 750 megavat për orë, e pjesa tjetër po importohet. Një arsye e kësaj është edhe koha e dimrit që ia kemi kaluar në mënyrën më të mirë të mundshme, pavarësisht parashikimeve të frikshme nga ekspertët e elektroenergjetikës…Është një numër i konsumatorëve që energjinë e përdorin për ngrohje, në kohen e pikut për konsum shkon deri në 1300 megavat për orë, tash në verë konsumi është më i vogël”, u shpreh ai./Koha