Ndonëse ka kaluar një vit nga konstatimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) se emërimi i Hekuran Nikçit si Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës nga Qeveria e Kosovës ishte i paligjshëm, situata ende nuk ka ndryshuar. Nikçi vazhdon të mbajë detyrën e tij, pavarësisht vendimit të KPMShCK-së dhe refuzimit të ankesave të Ministrisë së Financave fillimisht në Gjykatën Themelore dhe më pas në atë të Apelit.
Në mospajtim me vendimin e KPMShCK-së për shkarkimin e Nikçit nga pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka paraqitur ankesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të kontestuar vendimin. Mirëpo, kjo tentativë kishte dështuar pasi gjykata refuzoi kërkesën e qeverisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShCK-së.
Ministria e Financave gjithashtu ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por edhe kjo gjykatë ka refuzuar ankesën duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditëses-propozueses Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në Prishtinë e datës 08.09.2022, ndërsa aktvendimi i Ggykatës Themelore në Prishtinë – Departmenti për Çështje Administrative, A.nr. 1892/22, i datës 22.08.2022, vërtetohet,” – thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë për Nacionalen se pavarësisht vendimit të KPMShCK-së dhe vendimit të gjykatave, Nikçi vazhdon të ushtrojë detyrën e tij.
“Sipas informative që kemi, Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës vazhdon të ushtrojë ende detyrën përkundër që është vendosur nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe nga Gjykata që është në mënyrë të kundërligjshme në atë pozitë, ai vazhdon të ushtrojë këtë detyrë. Ndërkohë kemi marrë vesh që Gjykata ka vendosur, përveç refuzimit të masës së përkohshme që e ka bërë në fillim, edhe në merita të rastit dhe ka thënë që ai është zgjedhur në mënyrë të paligjshme. Nuk e di nëse ai (kryeinspektori Nikçi) ka ushtruar ndonjë mjet juridik në shkallë tjera të Gjykatës, por pavarësisht kësaj është dashtë ta lironte detyrën,” – ka thënë Gruda për Nacionalen.
Nëse këtë kontekst, Nacionale ka pyetur zotin Nikçi nëse ende po vazhdon të ushtrojë detyrën si Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës dhe nëse është ushtruar ndonjë mjet tjetër juridik në shkallë tjera të gjykatës, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është pranuar ndonjë përgjigje nga ana e tij.
“Emërim i jashtëligjshëm”
Me 14 korrik të vitit 2022, Qeveria Kurti mori një goditje të rendë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ky i fundit ia kishte shpallur të kundërligjshëm Qeverisë vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës edhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.
Në raportin që kishte siguruar gazeta Nacionale, KPMShCK-ja kishte rekomanduar se procesi i zgjedhjes se Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji. Rekomandimi i këshillit obligonte Qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.