Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se do të intensifikoj shkyçjet nga shërbimet e ujësjellësit në të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Sipas KRU-së, kjo po bëhet për shkak të mospagesave për shërbimet e ujësjellësit pasi borxhet ndaj shërbimeve të ujit janë mbi 45 milionë euro.
“Borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë euro nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha. Nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kemi një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët”, njofton KRU-ja.
Kompania shton se me ndihmën e Policisë së Kosovës, shkyçjet do të realizohen në një ndër lagjet më të mëdha të Prishtinës.
“Më 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 10:00 do të rifillojmë me aksion intensiv me disa ekipe të shkyçjes, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha. Me asistencë të Policisë së Kosovës, shkyçjet do realizohen në një ndër lagjet më të mëdha të Prishtinës”, përfundon kompania.