Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare. Në rend dite është edhe zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në Parim i Projektligjit për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për procedurën përmbarimore, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mjekësinë Ligjore, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor.
Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zhvillim rajonal të balancuar, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë, shqyrtimi i parë i Projektligjit për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, shqyrtimi i parë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Fondin sovran të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i Raportit me rekomandim për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ndërmjetësim dhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit dhe të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.
Po ashtu sot do të bëhet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media, emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, emërimi i kryesuesit dhe i anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe shqyrtimi i Propozim -Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.