Mërgimtarët pritet që as sivjet të mos paguajnë sigurim kufitar, Ministria ia dërgon BKS-së një propozim

Mërgimtarët pritet që as sivjet të mos paguajnë për sigurimin kufitar. Propozimi për marrëveshje të re veçse i ka shkaur Byrosë Kosovare të Sigurimeve nga Ministria e Financave dhe tash janë në diskutime për draftin e marrëveshjes.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori i BKS’së, Sami Mazreku.

Sipas Mazrekut, sivjet procedura do të lehtësohet edhe më shumë meqë nëse arrihet marrëveshja, mërgimtarët s’do të paguajnë fare në kufi, e jo sikur vitin e kaluar kur fillimisht paguanin polisën e pastaj duhej të aplikonin për rimburësim nga Ministria e Financave.

Reklama e sponzorizuar

“Kemi marrë një propozim prapë prej Ministrisë së Financave për me lidh marrëveshje. Ne jemi duke diskutuar mrena BQK’së, brenda BKS’së edhe Ministrisë së Financave se qysh ka me qenë marrëveshja e re mes neve dhe Qeverisë.  Qeveria pra ka bërë kërkesë te BKS’ja për marrëveshje të re dhe për momentin jemi në diskutime se çfarë formati do të jetë drafti i marrëveshjes, kur fillon implementimi, me çfarë date. Çka është kërkesa është që bashkëatdhetarët, normal për dy kategori vetura dhe pasagjerë, veç me marr polisën edhe me ec, mos me u marr me pagesa”, ka thënë Mazreku për Express.

Një marrëveshje e njëjtë ishte bërë edhe në vitin 2020 dhe 2021.

“Nëse bëhet marrëveshja, mërgimtarët nuk kanë nevojë me pagu, veç kanë me hy në kufi e me ec. Marrëveshja pritet të jetë sikur ajo që ka qenë në vitin 2020 dhe 2021”, ka thënë Mazreku.

Ndryshe, meqë nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i veturave që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera. Po ashtu, veturat që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.

Tarifa e sigurimit që paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura me tabela të huaja, duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe kamionë mbi një ton.