Projektligji për skemat pensionale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Ishin 76 deputetët e pranishëm në sallë që votuan për, duke mos qenë asnjë që votoi kundër apo që ka abstenuar.
Të pranishëm në votim ishin edhe deputetët e LDK-së të cilët edhe dhanë votën pro për këtë projektligj.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi që ky projektligj të shqyrtohet e pastaj të sillet sërish në Kuvend sipas afateve.
Paraprakisht, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh sot se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti njëherë e përgjithmonë e rregullon çështjen e skemës pensionale. Sipas tij, projektligji në fjalë heq padrejtësinë, me të cilët janë ballafaquar punëtorët që në vitet e 90’ta që janë larguar nga punë në mënyrë të dhunshme.
Ai tha se plotësim-ndryshimi i këtij projektligji ka qenë kërkesë e kamotshme e qytetarëve e deputetëve opozitarë, por edhe premtim i tyre elektoral.
“Është një projektligj, i cili merr parasysh periudhën që prej kohës së largimit apo vendosjes së masave të dhunshme apo largimit të dhunshëm nga puna e deri më datën 1 janar 1999, e cila periudhë për këdo që është larguar nga puna njihet si stazh për hir të përllogaritjes së plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa skema parciale kontributive që rregullohet me këtë projektligj dhe që shtohet në ligjin bazik pastaj mundëson që ata që kanë kontribuar të paguhet konform viteve për aq sa kanë kontribuar në Fondin Pensional”, theksoi ai.
Ministri Murati u shpreh po ashtu se impakti financiar vjetor me këtë projektligj parashihet të jetë diku 60 milionë euro, por që nga ky projektligj do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.
“Nuk ka qenë e lehtë pra jo ndoshta për nga vëllimi si ligj, si tekst, por për nga impakti financiar që ka ky projektligj për vit pra impakti financiar vjetor parashihet të jetë diku 60 milionë euro përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë që pritet të kalon nga skema aktuale bazike në skemën kontributive parciale dhe kostoja për tërë jetëgjatësinë e ligjit apo përafërsisht 50 vite për aq sa parashihet të bëhen llogaritjet parashihet të jetë 1.3 miliardë euro”
”Kam kënaqësinë që të prezantojmë këtë projektligj që njëherë e përgjithmonë e rregullon këtë çështje dhe e heq këtë padrejtësi e diskriminim që u është bërë shumë prej personave të cilët janë larguar dhunshëm dhe që për shkak se janë larguar dhunshëm në fillim të viteve 90 nuk kanë arritur ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh”, shtoi ai.
Berisha: Ky Projektligj dëmton edhe punëtorët e larguar nga puna në vitet e 90-ta.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se Projektligji për skemat pensionale nuk është sjell në Kuvend sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pensioni parcial dhe jo sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është kjo që ju po e prezantoni. Ky Projektligj dëmton edhe punëtorët e larguar nga puna në vitet e 90-ta. Pasi ju njeh vetëm stazhin por jo edhe kontributet siç është rasti me punëtorët e arsimit të vitit 1990”, tha ai.
Bajrami: Prapë do të ngelet një lloj diskriminimi
Kritike u shpreh edhe deputetjae LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se prap ka kushte për ata që nuk e arrijnë nivelin prej 15 vjetësh përvojë pune.
“Prapë do të ngelet një lloj diskriminimi, për shkak se prapë është një kusht që thotë se shuma e periudhës e kontributeve të paguara sipas paragrafit 2.2 dhe periudhës të largimit të dhunshëm nga puna sipas paragrafit 2.3 deri më 1 janar 1999 bashkërisht arrin nivelin prej 15 vjetësh. Çka do të ndodh me ata që nuk e arrijë nivelin prej 15 vjetësh”, tha ajo.
Dreshaj: Ky projektligj nuk i plotëson as rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese
Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
“Projekt-propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat sociale kontributdhënëse është i pjesshëm dhe nuk i plotëson as rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj si i një rëndësie të veçantë do të duhej të përfshinte dhe t’i largonte diskriminimin e bëra deri më sot. Largimin e limitimit në 15 vjet për kontributdhënie kjo që gjendet ende në këtë projekt-propozim”, deklaroi ai.