Përkundër disa “nismave” të paralajmëruara nga disa prej institucioneve zyrtare, si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Ministria e Financave, që kishin për synim heqjen e ‘monopolit’ në tregun e arkave fiskale në Kosovë, dhe rrjedhimisht edhe reflektim në çmimet e larta të këtyre pajisjeve, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Dy prej kompanive që janë të licencuara nga ATK-ja për pajisje me arka fiskale, në ARBK iu figuron pronari i njëjtë.
Buletini Ekonomik
Në Kosovë, aktualisht janë të licencuara katër kompani për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), të cilat janë: Gekos, Dukagjini, Enternet, dhe Service Global.
Prej tyre, për momentin janë duke operuar vetëm Enternet dhe Service Global, pasi Dukagjini dhe kompania Gekos nuk kanë të certifikuar më asnjë pajisje fiskale, por të njëjtit janë të detyruar të mirëmbajnë pajisjet që i kanë shitur dhe instaluar vet më parë.
“Numri i Operatorëve Ekonomik (OE) të Autorizuar për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) është katër (4), dhe nuk ka ndonjë ndryshim që nga viti i kaluar”, kanë thënë për Buletinin Ekonomik nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Çmimet e këtyre pajisjeve në Kosovë variojnë nga 220 euro deri në 4 mijë euro, varësisht prej llojit të pajisjes. Kështu, një arkë fiskale mobile fillon me çmim prej 220 eurosh, ajo statike deri në 350 euro, kurse printerat fiskal kanë një çmim deri në 550 euro. Ndërkohë, sistemi fiskal për derivate ka një çmim ende më të lartë, duke u tregtuar deri në 4 mijë e 70 euro.
Sipas ATK-së, secili nga Operatorët Ekonomik (OE) është i autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, por momentalisht të drejtë shitje dhe instalimi kanë vetëm Operatorët Ekonomik: Enternet dhe Service Global.
Kompania GEKOS SH.P.K., e cila tani nuk ka asnjë pajisje të certifikuar por që është e licencuar nga ATK-ja si kompani me të drejtë shitjeje dhe instalimi të PEF-ve, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) ka pronarin e njëjtë sikurse edhe kompania tjetër “ENTERNET SH.P.K”, e cila tashmë ka të drejtë shitje dhe instalimi të plotë, pasi ka gjithsej katër pajisje fiskale të certifikuara. Pronar dhe aksionar i të dyja këtyre kompanive, në ARBK figuron emri i Altin Maliq, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga ATK kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se tek lista e Operatorëve Ekonomik në ueb faqe të ATK-së, janë dy (2) Operatorë Ekonomi të cilët momentalisht nuk kanë arritur ende të certifikojnë asnjë model të Pajisjeve Elektronike Fiskale bazuar në legjislacionin në fuqi, mirëpo këta dy Operator Ekonomik e kanë për obligim që t’i përkrahin dhe të mirëmbajnë dhe të kryejnë servisimin e të gjitha Pajisjeve Elektronike Fiskale që janë në përdorim nga tatimpaguesit, e të cilat janë instaluar nga këta dy Operator Ekonomik.
Megjithatë, nga ATK vazhdojnë të tjeksojnë se secili Operatorë Ekonomik (duke i përfshirë edhe 4 Operatorët aktual Ekonomik) e kanë të drejtën e plotë që në çdo kohë të certifikojnë lloje të ndryshme të Pajisjeve Fiskale të cilat i plotësojnë kushtet teknike dhe funksionale, dhe të kenë mundësi të shesin, instalojnë dhe mirëmbajnë Pajisje Elektronike Fiskale.
Sipas tyre, njëri nga shkaktarët i cili ndikon në moscertifikimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, mund të jetë edhe mos interesimi i kompanive prodhuese për t’i përkrahur Operatorët Ekonomik nga Kosova, pasi që Kosova mund të konsiderohet si treg i vogël dhe jo atraktiv për prodhuesit e PEF. Por, edhe pandemia COVID 19, sipas ATK-së, ka ndikuar shumë në çrregullimin e tregut global, duke e përfshirë këtu edhe Kosovën.
Nismat e ATK-së për heqjen e “monopolit”
Institucioni i Administratës Tatimore të Kosovës, në muajin tetor të vitit 2021, pati hapur një konkurs, ku i ftonte kompanitë e reja në këtë treg, që të aplikojnë për t’u autorizuar dhe çertifikuar për Pajisje Elektronike Fiskale.
Por, ky konkurs ishte përcjellur pa asnjë rezultat. Si rrjedhojë e kësaj, operatorët ekonomik të autorizuar me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, kishin mbetur të njëjtit që nga viti 2020.
Nga konkursi i hapur në tetor 2021, ATK-ja kishte çertifikuar vetëm një pajisje elektronike fiskale të një operatori ekonomik ekzistues, më konkretisht një lloj të Pajisjes Fiskale për operatorin ‘Service Global’.
Megjithëkëtë, ATK-ja vazhdon ta ripërsërisë njoftimin se secili nga Operatorët Ekonomik e ka të drejtën e plotë që në çdo kohë të çertifikojë lloje të ndryshme të Pajisjeve Fiskale, të cilat i plotësojnë kushtet teknike dhe funksionale, duke shtuar gjithashtu se edhe numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen në ATK nga operatorët ekonomik (OE), është i pakufizuar.
Ku mbeti reforma fiskale “e përfolur” nga ministri Hekuran Murati?
Në fund të vitit 2021, atë vit kur edhe kishte ardhur në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ishte përfolur se edhe Ministria e Financave në krye me ministrin aktual Hekuran Muratin, ishte në përfundim të një procesi reformues për tregun e arkave fiskale në Kosovë, përmes së cilës synohej krijimi i disa lehtësirave për bizneset.
Këto lehtësira kishin të bënin me uljen e çmimit të pajisjeve fiskale, dhe lehtësime në procedura.
Siç pati mësuar Buletini Ekonomik, ky proces i reformimit përfshinte ndryshime në dispozitat ligjore aktuale në fuqi dhe gjithashtu pritej që një pjesë të kostos së bizneseve me rastin e pajisjes me arkë fiskale, ta marrë përsipër vet ministria. Por, edhe pse kanë kaluargati 2 vite nga ajo kohë, nga kjo ministri nuk kanë pranuar të përgjigjen asnjëherë në këto konkludime edhe pas insistimeve të shumta të Buletini Ekonomik.
Nga ndryshimet ligjore në këtë udhëzim, Abonimi vjetor për pajisje fiskale parashihej të mbulohet nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një marrëveshjeje me Telekomin e Kosovës, ndërsa koston e kontrollës teknike pritej ta merrte përsipër vet Ministria e Financave. Gjithashtu, me këto ndryshime administrative, parashihej që të largohej edhe ndalesa për bllokimin e pajisjes fiskale me rastin e skadimit të abonimit njëvjeçar të biznesit me kompaninë përkatëse.
Përpos këtyre, me reformat e reja, ishte planifikuar që Administrata Tatimore të kishte rol aktiv në mbikëqyrjen e çmimeve në treg, përkatësisht në parandalimin e abuzimit me çmime të arkave fiskale nga operatorët e licencuar.
Kujtojmë se dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg fillon nga 220 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin. /Buletini Ekonomik/