Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale.
Murati ka thënë se “pas adresimit dhe rregullimit të shumë problemeve me projektet, kontratat, e shpronësimet, sivjet ka nisur një dinamikë e re e investimeve kapitale nga organizatat buxhetore”.
“Tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale, që njëkohësisht është niveli më i lartë i regjistruar. Krahasuar me vitin paraprak, ka mëse dyfishim të dinamikës, gjë që pritet të shërbejë si impuls pozitiv edhe për rritjen e ekonomisë në TM2, më lart sesa në TM1 ku rritja reale ishte 3.9%”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, ministri ka potencuar se “një fenomen tjetër që vërehet nga grafiku, është një shpenzim më i lartë në kategorinë e kapitaleve në Tremujorin 1 për disa prej viteve paraprake, por që është botërisht e ditur se në muajt e dimrit kushtet atmosferike nuk mundësojnë kryerje të punëve”.
“Kjo sqarohet me faktin se në ata tremujorë, në fakt ka ndodhur pagesa e vonuar e faturave të vitit paraprak, gjë që ndikon negativisht edhe në likuiditetin e punë kryesve e edhe aktivitetin ekonomik në përgjithësi. Si qeveri, ka qenë zotim i yni që faturat do të paguhen me kohë në mënyrë që të mos shkaktohen probleme për punë kryesit, dhe ndryshimi vërehet edhe në uljen drastike të faturave të papaguara për më gjatë se 30 ditë. Kjo vërehet edhe në grafikun nëse shikohen TM1 në dy vitet e fundit, ku s’ka pasur fatura të prapambetura nga vitet paraprake”, shton tutje ai.
Sipas tij, në nivelin komunal, fatkeqësisht, për disa komuna që janë ngarkuar me borxhe të papaguara si rezultat i keqmenaxhimit, ende vazhdon të jetë ky problem i vonesave në pagesën e faturave.
Ai ka shtuar se si ministri po bëjnë çmos që të përmirësohet situata e të rritet disiplina fiskale ashtu që të mos ketë më probleme të tilla në të ardhmen. /Telegrafi/