Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2023
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 4,6% në muajin qershor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 398,8 milion euro, krahasuar me deficitin prej 418,1 milion euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 14,7%.
Eksporti i mallrave në muajin qershor 2023 kishte vlerën 68,5 milion euro, ndërsa importi 467,3 milion euro, që është një rënie prej (-8,1% për eksport dhe (-5,2%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Eksportet sipas sektorëve të grupeve kryesore
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16,3% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14,4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani etj.
Importet sipas sektorëve të grupeve kryesore
Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13,2% e përbëjnë produktet minerale; 11,5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10,2% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.
Eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 22,8 milion euro, ose rreth 33,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-4,9%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Italia (4,0%), Holanda (3,3%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 199,6 milion euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,3%), Italia (5,7%), Greqia (4,4%), etj.
Eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27,9 milion euro, ose 40,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1,1%). Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14,4%), Maqedonia e Veriut (14,4%), Mali i Zi (5,3%), Serbia (5,1%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor 2023, arritën në 72,4 milion euro, ose 15,5% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-22,0%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,3%), Maqedonia e Veriut (5,3%), Serbia (2,8%).
Eksportet dhe Importet e Kosovës me vendet e tjera
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,7 milion euro, ose 25,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (10,2%) dhe Zvicra (9,9%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195,3 milion euro, ose 41,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Turqia (14,5%) dhe Kina (10,3%).