Rreth 60 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushim, kurse mbi 40.7 për qind e tyre shpenzimet për strehim dhe banim i paraqesin si barrë të rëndë.
Kështu thuhet në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se 12 për qind e familjeve janë deklaruar se kanë probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa si dhe korniza të dritareve dhe dysheme të kalbura, shkruan Telegrafi.
“57.3 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë. Për 40.7 për qind të ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare. Në shpenzimet për strehim janë përfshirë: pagesa e kredisë hipotekare, qiraja, sigurimet dhe pagesat për shërbime, shpenzimet për mbledhjen e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, mirëmbajtja e rregullt, riparimi dhe shpenzime tjera”, thekson ASK-ja.
Mbi gjysma e familjeve në vend nuk mund ta përballojnë shujtën me mish.
“54 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shujtën me mish, pule dhe peshk çdo të dytën ditë”, vijon raporti.
Afër 60 për qind e ekonomive familjare në vend nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro.
“43 për qind e ekonomive familjare mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro dhe të paguaj prej burimeve vetanake, ndërsa 57 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim”, pohon ASK-ja.
Për sa i përket detyrimeve financiare, rreth 70 qind e familjeve kanë deklaruar se e kanë barrë të rëndë pagesën e kredive.
“Për 67.8 për qind të ekonomive familjare ishte barrë e rëndë financiare pagesa e borxheve për kartë kredit, blerje të madhe ose kredi të tjera (duke përjashtuar pagesat peng ose kredi të tjera lidhur me blerjen e shtëpisë apo banesës) për 29.2 për qind e tyre ishte deri diku barrë financiare”, tregon raporti.