Numri i bizneseve apo individëve që kanë instaluar një impiant fotovoltaik në Shqipëri për të plotësuar nevojat e konsumit të energjisë ka qenë në rritje graduale.
Të dhënat e fundit të raportuara nga institucionet shqiptare në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë tregojnë se kapaciteti i instaluar është 119 MW dhe kjo përfshin të paktën 1,249 impiante fotovoltaike.
Referuar raportit të fundit të Sekretariatit sillet në vëmendje se më 1 janar 2024 fillon faturimi neto, raporton Monitor.
Në fakt, qeveria ka deklaruar se ky faturim ka nisur nga 1 janari i këtij viti, por zbatimi real parashikohet që të jetë vitin tjetër pasi kjo mundëson krijimin e periudhës së nevojshme vjetore për të marrë përfitimin nga skema e re në vitin pasardhës.
“Fatumi neto është një mekanizëm faturimi që i lejon konsumatorët që të marrin kredit monetar llogaritur në netimin e vlerës së energjisë së konsumuar nga rrjeti dhe vlerës së energjisë që është hedhur në rrjet brenda periudhës së marrë në llogari.
Bilanci pozitiv kalon në periudhën tjetër të llogaritur me një periudhë të caktuar kompensimi” thuhet në raportin e sekretariatit teksa shpjegohet se çfarë është faturimi neto që do të aplikojë Shqipëria.
Miratimi i ligjit të ri “Për burimet e rinovueshme të energjisë” solli një sërë risish lidhur me sektorin energjetik dhe një prej tyre ishte ajo që lidhet me vetëprodhuesit, të cilët kërkuan që netimi të ishte vjetor dhe jo mujor.
Sipas tyre, netimi mujor e bënte investimin më pak tërheqës dhe kthimin e tij më të gjatë në kohë. Instalimi i impianteve fotovoltaikë për vetëkonsum u rrit ndjeshëm sidomos gjatë vitit 2022, për shkak të krizës së energjisë e cila çoi çmimet në bursa në nivele të panjohura më parë.
Një pjesë e mirë e bizneseve të cilat janë në treg të lirë ku bëjnë pjesë ata në tension 35 kv por edhe grupi në tension të mesëm që aktualisht furnizohen me çmime pjesërisht të liberalizuar rritën interesin për impiante fotovoilatikë si një formë për të amortizuar kostot e larta që solli kriza.
Rritja e çmimeve të energjisë, përveçse ka shtuar interesin për vetëprodhimin, ka rritur edhe numrin e bizneseve që duan të investojnë në sektorin e energjisë në impiante fotovoltaikë me synim tregtimin.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë paraqiten vazhdimisht projekte për impianteve fotovoltaike ërsa disa dhjetëra projekte në gjithë vendin janë në hallka të ndryshme të procedurave, por edhe të zbatimit. /Telegrafi/