Rusinovci: Nuk mund të presim prodhimtari të lartë të grurit

Rendimentet e grurit pritet të jenë më të ulëta këtë vit në Kosovë, krahasuar me vitin e kaluar. Kështu paralajmërojnë ekspertë të bujqësisë teksa japin argumentet e tyre.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se temperaturat e ulëta dhe reshjet e shumta të shiut, ndikuan negativisht në zhvillimin e grurit. Por, sipas tyre, edhe këtë vit pritet që rendimenti mesatar i grurit të jetë brenda mesatares që është ndër vite në vendin tonë.

Kushtet klimatike që mbretëruan këtë pranverë me temperatura jo të larta e reshje të shumta të shiut, ndikuan edhe në zhvillimin e grurit dhe fillimin e sezonit të korrje-shirjeve.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëkëtë, “procesi i korrje-shirjeve veç se ka filluar në disa parcela, fillimisht në Komunën e Suharekës dhe të Prizrenit e gradualisht do të fillojë edhe në komunat të tjera”, bëjnë të ditur nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, zyrtarë nga kjo ministri, në përgjigjen me shkrim për Radio Kosovën thonë se fillimisht gjendja e grunajave ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut janë paraqitur “ndryshku i grurit” dhe zhvillimi i hovshëm i barojave të këqija, çka kanë ndikuar që gjendja e grunajave të përkeqësohet e në mënyrë direkte do të ketë ndikim edhe në arritjen e rendimentit mesatar.

Përkundër kësaj, sipas Ministrisë së Bujqësisë, “vlerësuar mbi gjendjen e grunajave, këtë vit pritet që rendimenti mesatar i grurit të jetë brenda mesatares që është ndër vite në vendin tonë”.

Se temperaturat e ulëta dhe reshjet e vazhdueshme të shiut ndikuan negativisht në gjendjen e grurit e thotë edhe profesori universitar i bujqësie, Imer Rusinovci, që paralajmëron rënie të rendimenteve.

“Nuk mund të presim një prodhimtari më të lartë të grurit në raport me vitin e kaluar, duke e pasur parasysh ndikimin e motit të ftohtë që ishte. Ne sivjet e patëm një vit karakteristik klimatik thënë figurativisht “vit pa pranverë”. Prandaj, edhe këtë vit do të karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, pasi reshjet e muajit mars, prill, maj dhe qershor atakuan shumë ngastra kultivuese të grurit me sëmundje të ndryshme si: ndryshku, bloza, barërat e këqija”, tha Rusinovci.

Në Kosovë, ndër vite, rendimenti mesatar i grurit në nivel vendi sillet nga 3 mijë e 500 deri në 4 mijë e 500 kilogramë për hektar. Ndërkohë, në mungesë të sasisë së nevojshme të grurit, Kosova prej vitesh importon tonelata të tëra me grurë e miell, në vlerë të miliona eurove.