Shala: Sektori i industrisë minerare drejt kolapsit

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka akuzuar partinë në pushtet për ndërhyrje politike në punën e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale.

Ai, në një postim në Facebook, ka akuzuar se po bëhen gjashtë muaj, që bordi i KPMM-së ka dalë jashtë funksionit në kuptimin praktik, edhe pse juridikisht ka kuorum dhe ka mandat.

“E tërë kjo ka ndodhur si rezultat i ndërhyrjes politike, jo vetëm në fazën e përzgjedhjes së këtij bordi (që ishte selektuar nga Kryeministri Kurti), por edhe në fazën e fillimit të punës dhe procesit gjatë të ushtrimit të detyrës së tyre.

Reklama e sponzorizuar

Tanimë për shkak të ndërhyrjeve politike, ky bord ka bërë shkelje të natyrave menaxheriale dhe profesionale, duke humbur kontrollin dhe arsyen për çka është i thirrur. Tërë kjo situatë rezulton të jetë e varur nga institucionet më të larta të shtetit siq është Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit”, ka shkruar Shala në Facebook.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës, përkatësisht kryetari i tij, e ka për obligim ta caktojë ushtruesin e detyrës apo kryesuesin e bordit të KPMM-së, i cili do të merrte përsipër thirrjen e mbledhjeve të bordit të KPMM-së.

“Nuk ka logjikë as sens juridik, që të bllokohet puna e një rregullatori të tërë, për shkak të pretendimeve çfarëdo qofshin ato, e të bllokohet tërë sektori i industrisë minerare”, shkruan pos tjerash Shala.