Monedhat e Europës Qendrore pritet të dobësohen gjatë 12 muajve të ardhshëm, ku monedha polake Zloty do të marrë goditjen më të madhe, tregoi një sondazh nga Reuters, pasi do të ndikojnë inflacioni më i lartë në krahasim me Eurozonën dhe perspektiva e uljes së normave të interesit.
Monedhat e rajonit kanë pasur një fillim të fortë të vitit, të mbështetura nga normat e larta të interesit dhe lehtësimi i çmimeve të energjisë, që kanë hequr trysninë nga bilancet tregtare.
Por ndërkohë që Banka Qendrore e Hungarisë tashmë ka filluar të zbusë politikën monetare dhe parashikohen më shumë ulje të normave në rajon këtë vit, analistët besojnë se monedhat në përgjithësi do të zhvlerësohen.
Në Poloni, ku tregjet parashikojnë se kostoja e kredisë do të ulet në tremujorin e katërt, monedha Zloty pritet të dobësohet me 2.7%, krahasuar me atë europiane.
“Mendoj se tregu mund të nënvlerësojë kohëzgjatjen e ngadalësimit ekonomik që do të pësojnë ekonomitë e EQL-së dhe ndoshta do të ketë ulje të normave të interesit, kështu që në mes të inflacionit të lartë, kjo do të rëndojë mbi monedhat e EQL-së”, tha ekonomisti i Bankës Ipopema Securities, Marcin Sulewski.
Banka Kombëtare e Hungarisë (NBH) ka ulur tashmë normën kryesore të depozitave njëditore me një total prej 200 pikësh bazë në 16%, për të lehtësuar barrën e ekonomisë në stanjacion. Inflacioni, i cili mbetet më i larti në Bashkimin Europian, ka filluar të zbutet.
“Forinta hungareze ka potencialin të dobësohet nëse ka një disinflacion më të fortë se sa pritej, duke rezultuar ndoshta në rritje të parashikimeve për masa më agresive nga NBH-ja”, tha ekonomisti Peter Virovacz.
Forinta pritet të ulet me 1.3% kundrejt Euros, sipas sondazhit. Leu rumun, i kontrolluar fort nga Banka Qendrore, pritet të bjerë me 1.0% kundrejt Euros
“Në Rumani, qeveria e re vendosi të zbatojë një mjet të ri për të kufizuar trysnitë e mëdha të çmimeve të shtrenjta të ushqimeve”, tha analisti i bankës General Investments, Jakub Kratky.
“Megjithëse çmimet e konsumit në Rumani janë kryesisht të ndjeshme ndaj kursit të këmbimit, së shpejti, kjo mund ta lejojë Bankën Qendrore të tolerojë paksa zhvlerësimin e Leut rumun”.
Monedha çeke parashikohet të dobësohet më pak në krahasim me monedhat e tjera të rajonit, duke rënë me 0.1% në raport me euron.