Verifikohen peshoret shumëtonëshe të grurit– Hajdari: Synojmë largimin e dyshimeve të bujqve

Me rastin e hapjes së korrje-shirjeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, të mërkurën ka realizuar verifikimin periodik të peshoreve shumëtonëshe, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, pjesëmarrëse ishte ministrja e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari. Ata vizitën e bënë në Mullirin “Albatros”, në fshatin Torinë të Lipjanit, me ç’rast panë nga afër verifikimin e peshoreve.

Ministrja Hajdari tha se verifikimi i peshoreve është një vjeçar dhe synim kanë largimin e dyshimeve të bujqve. Madje ftoi bujqit që për çdo dyshim të mundshëm t’i drejtohen Agjencisë.

Reklama e sponzorizuar

“Është verifikim i rregullt që është detyrim një vjeçar për t’u verifikuar të gjitha peshoret. Në këtë rast vizita ime ka të bëjë me procesin e verifikimit të peshoreve dhe për të shtuar besimin e qytetarëve, por edhe bujqve tanë që peshoret janë të verifikuara sipas ligjeve në fuqi të Agjencisë Metrologjisë së Kosovës dhe sipas direktivave të Bashkimit Evropian dhe nëse një fermer ka ndonjë dyshim mund të kërkojë te ky Agjencion për t’u verifikuar”, tha Hajdari.

“Ne sot pamë procesin dhe mund të konkludojmë që çdo gjë që u vendos në peshore erdhi e rregullt dhe e verifikuar me peshën e njëjtë që u paraqit dhe kjo shton një siguri për qytetarët që peshoret janë të verifikuara”, u shpreh Hajdari.

Sebahate Bushrani-Ibraimi kryeshefe e Agjencisë Metrologjisë së Kosovës, tha se verifikimi është bërë për krejt peshoret në vend. Ankesa nga bujqit tha se nuk kanë pranuar.

“I kemi rreth 100 peshore në krejt Kosovën dhe të gjitha janë të verifikuara për të mbrojtur konsumatorin dhe të kemi një cilësi sa më të mirë të produkteve që na dalin nga mullinjtë e Kosovës. Nuk kemi ankesa të llojit të tillë por ankesa tjera si për naftë etj”, tha ajo.