Tregu i banesave në Fushë-Kosovë, që ishte disa vite me radhë në krye të top-listës së tregtimit të paluajtshmërive, ka nisur të “lëkundet”, ndërsa klientela e shumtë ka gjetur tregje të reja banesash, e llogaritur po kështu si “periferi e Prishtinës”, përafërsisht njësoj atraktive sikur Fushë-Kosova. Pse bëhet i diskutueshëm synimi i Ligjit për Tatimin në Pronë, me të cilin parashihet ulje e çmimit të banesave?
Mehmet GJATA
Ka vite që Fushë-Kosova, për shumë shkaqe dhe motive, ishte bërë “Meka” e tregtimit të banesave në Kosovë. Në radhë të parë, për shkak të afërsisë së drejtëpërdrejtë me Prishtinën (llogaritej natyrshëm nga blerësit se disa kilometra nuk janë në ditët e sotme asgjë për bërë rrugë të përditshme), bumit të pamatë të ndërtimit me standarde dhe pa to dhe si rrjedhojë e ofertës super të madhe edhe çmimi i favorshëm, (një kohë të gjatë thuaja dyfish më i ulët se metri katror i një banese në kryeqytet) ishin disa nga shkaqet që Fushë – Kosova mori primatin e tregtimit të paluajtshmërive, e sidomos të banesave në Kosovë.
Për këto arsye, blerësit, kryesisht sish nga mërgata, por edhe shqiptarë nga Lugina e Preshevës, dhe fshatrat gjithandej nga Kosova, ia mësynë Fushë-Kosovës, blenë në raste edhe më shumë se një banesë. Dhe, sipas të dhënave të agjencive të paluajtshmërive, më në fund, është arritur kulmi deri ku dhe deri kur Fushë-Kosova të mbizotërojë tregun e banesave të llogaritura si periferi e kryeqytetit, qoftë me çmime tashmë të ngritura, qoftë me afërsi gjeografike më Prishtinën.
Thënë ndryshe, bazuar në të dhënat e agjencive për shitblerjen e paluajtshmërive, tani së fundi, Fushë-Kosovës po “i lëkundët” pozicioni i rekordmenit të vendit në tregtimin e banesave.
Tregu i banesave në Fushë-Kosovë, që ishte disa vite me radhë në krye të top-listës së tregtimit të paluajtshmërive, ka nisë të zvetnohet, ndërsa klientela e shumtë ka gjetur tregje të reja banesash, të llogaritur, po kështu si “periferi e Prishtinës”, përafërsisht njësoj atraktive sikur në Fushë-Kosovë dhe madje edhe me çmime më të favorshme, në afërsi me kryeqytetin në saje të favoreve të autostradave moderne që përshkojnë tregjet e reja dhe lëvizjen-qarkullimin njësoj të shpejtë drejt kryeqytetit sikundër nga Fushë-Kosova, e cila thuaja se është ngulfatur nga dendësia e qarkullimit për në Prishtinë dhe anasjelltas dhe me pak perspektivë që në një të ardhme më të afërtë të bëhet ndonjë zgjidhje.
Më konkretisht, tani së fundi klientela kosovare e blerjes së banesave (mërgata akoma dominuese absolute) ka nisur të tregtojë banesa në Ferizaj, Lipjan, por edhe në Obiliq. Në qendrën e fundit, dominojnë blerësit me mundësi më të pakta financiare për shkakun se edhe më tutje në Obiliq gjenë banesë me 500-600 euro metrin katror. Dhe ky ndryshim i destinacionit të tregtimit të banesave është një befasi interesante, sipas tregtarëve të agjencive të shitblerjes së patundshmërive, por edhe të ndërtuesve.
Në Ferizaj dhe në Lipjan, ku tash e disa vite ka marrë hov ndërtimi i shumëkatësheve dhe që është krijuar domosdo nga ndërtimi i vrullshëm, ofertë goxha e madhe numerikisht dhe atraktive edhe për nga kostoja, tani e sa kohë, është shtuar prekshëm shitblerja e banesave.
“Ka javë dhe muaj, që klientët e ineresuar për të pasur një banesë afër Prishtinës, që rëndom deri më tash kanë qenë nga mërgata jonë, me të madhe kanë shtuar interesimin për të blerë në këto qendra, edhe më parë se në Fushë-Kosovë, e njohur për shitblerje të madhe të deritashme të hapësirave të banimit për diasporën, për qytetarë të shumtë të Luginës së Preshevës dhe për klientelën vendore me fuqi me të kufizuar blerëse.
Tani, qëkur po ‘shijohet’ edhe shfrytëzimi i autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidhë edhe Ferizajn me Prishtinën, por edhe Lipjanin dhe që ka shkurtuar shumë “distancën” dhe kohën për të arritur nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas, është shtuar shumë interesimi për të pasur një banesë në Ferizajin e “afruar” shumë me kryeqytetin”, kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik, në një agjenci shitblerjeje të patundshmërive në Ferizaj.
Një mërgimtar, që posa kishte kontraktuar blerjen e një banese ishte edhe më konkret, duke shtuar se nga Ferizaj në Prishtinë (saktësisht deri në Veternik), tani me një vozitje fare normale arrinë brenda 17 deri 20 minutash. Ndërsa, sipas tij, nga Fushë-Kosova në Prishtinë është goxha vështirë të mbërrish brenda kësaj kohe.
Sipas tij, edhe çmimi në Ferizaj është konkurrues me çmimin e banesave në Fushë-Kosovë. Në metër katror në Ferizaj kushton aktualisht nga 600 deri në 700 euro, dhe në shumë pjesë të Ferizajt, mund të gjesh çmimin prej 600 eurosh për metër katror. Ndërsa, në Fushë-Kosovë, tani e sa kohë, është shumë vështirë të gjendet çmim nën 700 euro për një metër katror të një banese.
Në këtë mënyrë, autostrada, por edhe çmimi, me gjasë e kanë bërë tani atraktiv Ferizajin në tregun e banesave të vendit. Lipjani, po ashtu është futur vrullshëm në top-listat prioritare të shitberjes së patundshmërive, për shkak të afërsisë me kryeqytetin (disa kilometra më afër se Ferizaj), por edhe të ofertës së stërmadhe të banesave.
“Në Lipjan, po kështu, sikundër edhe në Ferizaj, po ndërtohet pa prarë dhe goxha me cilësi dhe standarde”, saktësojnë pronarët e agjencive të tregtimit të paluajtshmërive.
Sipas tyre, edhe çmimi është ndjeshëm më i ulët se sa në Prishtinë, dhe në këtë qendër një metër katrorë i një banese, mesatarisht kushton diku rreth 600 euro. Ndërkohë, që arritja në kryeqytet nga Lipjani dhe anasjelltas, tani mund të bëhet për 12-deri 15 minuta.
Këto lëvizje, gjithsesi të paparashikuara e bëjnë tregun e banesave të veçantë dhe shumë interesant në Kosovë. Ndodhin lëvizje të shpeshta dhe të papritura, që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme, në tregtimin e patundshmërive në tregiun kosovar. E veçantë e tregut kosovar të banesave është edhe çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, te ne, ose po mbahet goxha konstant në 3-4 muajt e fundit, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale.
Në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve shumicë absolute dhe fuqisë të kufizuar blerëse të tyre.
Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), dhe thuaja në të gjitha qendrat komunale, jo vetëm që nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave, por, ka lëvizje të ngritjes së çmimeve. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese kushton 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.
Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani – 1,500 euro.
Për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet se ku ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në qendër dhe në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, ku metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,000, edhe 2,500 euro. Këto veçanti të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim.
Sipas tyre, është më shumë projeksion se sa ndonjë objektiv realisht i pritshëm për t’u realizuar edhe parashikimi i autoriteteve që me Ligjin për Tatimin në Pronë (i dërguar tashmë në Gjykatën kushtetuese) me të cilin synohet edhe reduktimi i çmimit të banesave, të ketë ulje të çmimit të banesave nga viti 2025.
Siç dihet, në prezantimin e këtij projekt-ligji, para votimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte thënë se ulja e çmimit të banesave synohet të bëhet përmes aplikimit të një takse progresive, dhe kjo taksë progresive, siç u tha, pritet të aplikohet nga viti 2025. Me përshkallëzimin e tatimit, të gjithë ata që kanë prona të vlerësuara mbi 275 mijë euro, do të paguajnë më shumë tatim. Ndërkaq, qytetarët që kanë banim primar nën vlerën 275 mijë euro, ministri Murati ka thënë se Qeveria e Kosovës synon që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg.
“Ky është pra synimi. Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më të përballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i bllokuar stokun e banesave të pashitura”, ka theksuar Murati, duke shtuar se “e di që për disa ndërtimtarë do të bëhet më vështirë, mirëpo ne e kemi premtuar si qeveri që sa i përket politikave tatimore do të ketë progresivitet”.
Megjithatë, efektet eventuale të këtij Ligji, tani pas dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese as që mund të parashihen. Janë barë tashmë tej mase të komplikuara për t’u paraparë synimet e këtij Ligji, pasi që tani është fare e paqartë se si do ta vlerësojë Kushtetuesja këtë Ligj. /Buletini Ekonomik/