“9 milionë euro më shtrenjtë do t’i kushtojë Ministrisë së Arsimit rimbursimi i prindërve”

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Ministrisë së Arsimit do t’i kushtojë nëntë milionë euro më shtrenjtë se që ishte planifikuar furnizimi i nxënësve me tekste shkollore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se kostoja e rimbursimit të teksteve shkollore është rreth 13 milionë e 500 mijë euro.

“Gjithsej nxënës në shkollën fillore: 132 483. Kostoja e teksteve shkollore për nxënës 80 euro dhe gjithsej do të kushtojë: 10 598 640 Euro. Gjithsej nxënës në shkollën e mesme të ultë janë: 95 501. Kostoja e kompensimit për materiale shkollore do të bëhet 30 Euro për nxënës dhe do të kushtojë: 2 865 030 Euro Gjithsej kostoja e rimbursimit të teksteve shkollore: 13 463 670 Euro. A po i kushtojkan tekstet shkollore buxhetit të Kosovës tani ma lirë, a ma shtrenjtë? 13 milionë është shumë më shtrenjtë se 4 milionë, sa kishte paraparë për tekste MASHT-i. D.m.th 9 milionë më shumë. Uroj të kem gabuar”, ka shkruar ajo.

Reklama e sponzorizuar

Ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se të premten do të hapet mundësia në platformën e-Kosova ku prindërit do të kenë mundësi të rimbursohen për blerjen e librave për fëmijët.

“Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka thënë Nagavci.