APK-ja do t’i mbrojë pyjet nga shkatërrimi duke përdorur dronë

Përmes përdorimit të dronëve, Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK), do të synojë parandalimin e prerjes ilegale të pyjeve në vend. Me këtë rast, të mërkurën është bërë dorëzimi i dy dronëve, në kuadër të programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë” i zbatuar nga FAO dhe i financuar nga Ambasada Suedeze dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Krahas kësaj, u zhvillua edhe një trajnim për mbikëqyrësit e pyjeve, të cilët treguan edhe për specifikat e saj.

I lumtur me këto pajisje u shpreh ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Reklama e sponzorizuar

Ai për Ekonomia Online tha se këto pajisje janë të teknologjisë së fundit dhe do t’i mundësojnë APK-së të parandaloj prerjen ilegale të pyjeve.

Peci theksoi se këto aktivitete janë në funksion të implemntimit të strategjisë edhe ligjit për pyjet e Kosovës.

“Na gëzon fakti që objektivi dhe synimi jonë për një menaxhim më të mirë të pyjeve të Kosovës si një aset kombëtar shumë i çmueshëm. Në përkrahje kemi edhe partner e organizata ndërkombëtare më këtë rast sikurse është FAO, që i kanë dhuruar shume pajisje Agjencisë së Pyjeve dhe tash i bashkëngjiten edhe njëra prej pajisjeve shumë moderne për dronë, që përmes të cilit ne do të kontrollojmë mënyrën ose parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve të Kosovës”, u shpreh Peci.

“Gjithë këto aktivitet janë në funksion të implementimit që i ka strategjia edhe ligji për pyjet e Kosovës dhe po shkojmë gradualisht drejt një krijimit të mekanizmave dhe hapave që janë të vendosur dhe që janë lehtë të qasshëm për gjithë ata që i vërsulen dëmtimit të pasurisë që na ka dhuruar Zoti, në këtë rast që janë pyjet e Kosovës”, tha tutje Peci.

Njëri nga trajnuesit e këtij programi, Lorik Haxhiu, tregoi për Ekonomia Online specifikat e këtij droni.

Ai tha se ky dron mund të operoj deri në 15 kilometra, dhe është i pajisur me kamerë me katër senzorë.

“Specifikat kryesore të këtij droni është se është i dizajnuar për shërbime të shtetit, për shembull si Agjencia e Pyjeve, policia, shfrytëzohet për mbështesje nga ajri për ekipet e zjarrfikësve dhe për rastet e kërkim shpëtimit. Është dron industrial është i durueshëm ndaj kushteve atmosferike, duron erë të fortë duron edhe shi. Ka një bateri apo dy të cilat i mundësojnë një fluturim prej 55 minutave”, u shpreh Haxhiu.

“Mundësohet operim në distancë deri në 15 km. Ky dron ka mundësi të konfigurimeve të ndryshme, në këtë rast për nevojat e APK-së është kamera  e cila ka katër senzorë. Kamera kryesore është optike e cila mundëson vëzhgim të detajuar të zonave. Ka mundësi të zoom-it deri në 200 here, në këtë rast mund të dallohen keqbërësit. Është kamera termale e cila mundëson pamje të ndryshme qoftë gjatë natës apo edhe gjatë ditës në i identifikim e trupave të ngrohtë”, u shpreh tutje Haxhiu.

Trajnimi për përdorimin e dronëve ka për objektiv prezantimin e elementeve dhe specifikat kryesore të dronëve (DJI Matrice 300 RTK) si dhe përdorimi i këtyre mundësive për qëllime të ndërlidhura me sektorin e pylltarisë, duke përfshirë menaxhimin e pyjeve monitorimin e shëndetit të pyjeve, ndihmën kundër zjarreve në pyje dhe për qëllime mbikëqyrjeje për të parandaluar prerjet e paligjshme dhe aktivitete të tjera kriminale, hartografimin dhe vëzhgimin, etj. Ky trajnim për përdorimin e dronëve në menaxhimin e pyjeve është i pari dhe pritet të vazhdoj në të ardhmen me module të tjera.