Shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind dhe se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune.
Kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2022“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se mbi 38 mijë të papunë ishin më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Popullsi aktive ishin 29,508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, derisa joaktivë ishin 27,010 më pak. Persona të punësuar ishin 8,789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thekson ASK-ja, shkruan Telegrafi.
Agjencia thotë se shkalla e punësimit ishte 2.3 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Përqindja e meshkujve të punësuar ishte 4.1 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 0.3 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, shton raporti.