Bie eksporti i Kosovës rreth 12 për qind, thellohet deficiti tregtar

Fotografi ilustruese

Eksporti i mallrave të Kosovës në muajin korrik 2023 kishte vlerën jo më shumë se 67,3 milion euro, ndërsa importi 512 milionë euro, që është një rënie prej 11,8 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 1,9 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4,4% në muajin korrik 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 444,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 426,1 milion euro në vitin 2022.

“Eksporti mbulon importin me 13,1%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit e përbëjnë: (22.2%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (17.5%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (14.5%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (10.6%) ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, (6.3%) produkte bimore, (5.2%) tekstil dhe artikuj tekstili, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14,7% e përbëjnë produktet minerale; 12,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6,7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

“Importet nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milion euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16,4%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,4%), Serbia (1,3%)”, thuhet në publikimin e Statistikave të Tregtisë së Jashmte të Mallrave për muajin korrik 2023.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 27,6 milion euro, ose 41,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,3%), Mali i Zi (6,0%), Serbia (5,5%).