Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paralajmëruar se Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas AKK-së, komunat me miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës do humbasin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij kushtetues”, njofton AKK-ja, përcjell Telegrafi.
Në këtë reagim thuhet se ky ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunës, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake.
“AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të ketë debat dhe konsultime me komunat sa i përket këtij projektligji sepse ka të bëj me autonominë financiare të komunave dhe i cili ligj ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet e tyre e së këndejmi edhe në projektet kapitale sepse Tatimi në Pronë është e hyrë vetanake e Komunave. As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projektligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë”, vijon reagimi.
Më tej thuhet se Ministria e Financave mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme ku gjatë procesit të amendamentimit nuk i konsultoi komunat e Kosovës.
“Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejtpërdrejtë buxhetet e Komunave. Pastaj, MFTP-ja e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, thekson AKK.
Për më tepër, AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Kuvendi që të ketë debat dhe konsultime me komunat.
“Në këtë ligj, në Kapitullin II / Falja e Tatimit në Pronë për vitin tatimor 2023 Neni 11/B thuhet që: Pika 1. Shuma e faljes së Tatimit në Pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së Tatimit në Pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli. Pika 2. Vendimi për faljen e Tatimit në Pronë merret nga Kuvendi i Komunës i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas kufizimit të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni”, përfundon reagimi.
Tatimi në Pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës.
Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë MF-ja në fund të vitit të kaluar.
Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar. Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.
Nga tatimi në pronë, buxheti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.