Gjetjet e kompanisë “Shell Upstream Albania B.V.” për puset e naftës së Shpiragut pritet të njoftohen në javët e ardhshme, pas një shtyrjeje prej disa muajsh, bëjnë të ditura burimet për Albanian Post.
Kjo vendndodhje në Berat do e kthejë Shqipërinë në një qendër prioritare energjetike për të gjithë Evropën, pasi bëhet fjalë për një thesar të vërtetë për ekonominë shqiptare.
“Ne jemi në prag të një tjetër zhvillimi shumë të rëndësishëm në fushën e energjisë që ka të bëjë me burimet natyrore. Nuk mund të flas më shumë sepse është ende konfidenciale, por do ta shikoni shumë shpejt, në mos në javët e ardhshme që do të gjendemi përpara një situate krejt tjetër”, konfirmoi gjatë fundjavës kryeministri shqiptar Edi Rama pa dhënë detaje të tjera.
Njoftimin e shumëpritur për të gjithë shqiptarët pritet ta bëjë vetë kompania shumëkombëshe, zbulojnë më tej burimet.
Sipas të dhënave që zotëron Albanian Post, “ari i zi” i Shpiragut në Blloqet 2 dhe 3 mund të arrijë një kuotë prej afro 6 milionë fuçi naftë nga 1 milion ton të parashikuara se mund të nxirren në një vit kalendarik nga vendburimet e naftës.
Që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, shumë vende janë zotuar t’i japin fund ose të kufizojnë importet e tyre të naftës dhe gazit për të zvogëluar të ardhurat e Moskës dhe për të penguar përpjekjet e saj për luftë.
Vendet e BE-së kanë përfunduar importet e naftës ruse të sjellë nga deti dhe një ndalim për produktet e naftës së rafinuar do të vijë nga 5 shkurti.
Sektori rus i gazit ka qenë gjithashtu në shënjestër. BE-ja tha në mars se do të shkurtojë importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti.
Burime pranë Albanian Post bënë me dije se zbulimi prej shpimeve të para nuk do ishte i mundur pa eksperiencën dhe njohurinë e ngritur më parë nga studimet e periudhës së diktaturës.
Studimi me rusët
“Për Shpiragun de facto, ne e kemi studiuar shumë vite përpara se të vinte 1990, që në 1957. Rusët bënë gjithashtu studime andej, por ne shqiptarët e kemi udhëhequr naftën edhe kur ishin ata – rusët – ishim ne në krye”, deklaron për Albanian Post, Prof. Dr. Petr. Eng. Fatmir Shehu.
Ish-drejtori i Institutit të Naftës me aromën e zyrtarit të kohës së monizmit fliste me admirim për atë që e quante “motorin e ekonomisë shqiptare”.
Ai tregon në një bashkëbisedim se rusët futën pikërisht kulturën shkencore në industrinë e naftës në të gjithë pikëpamjet kështu që nuk mundte t’i hidhte poshtë pavarësisht se flitej asokohe për sabotime nga ana e tyre.
“Unë kam punuar me rusët, ata kanë qenë shumë të saktë në marrëdhëniet me ne, qoftë në pikëpamjet teknike, teknologjike por edhe në pikëpamje politike. Ata kanë bërë studime gjelogjike në zonën e Beratit. Pas ikjes së tyre u ngrit Instituti i Naftës në vitin 1965”, nxorri nga katalogu i kujtimeve ish zëvendës ministri i Energjetikës.
Me mall si ditën e parë të punës, Shehu vëren se atëherë iu dha një përparësi shumë e madhe industrisë së naftës me ngritjen e dy instituteve, njëri për gjeologjinë dhe një instituti tjetër për teknologjinë.
“Për Shpiragun janë bërë studime, u shpuan puse. Ne i referoheshim asokohe si ‘Sqepur’ jo Shpirag ose ‘Osmëzez’. U shpua ‘Sqepur 6’ 5 mijë e 300 metra, po të ishte shpuar 200 metra më në Jug do ta kishte kapur strukturën”, thotë ai me keqardhje pa kurrfarë xhelozie për zbulimin e SHELL-it.
Kërkimet këtë logjikë kanë nga e njohura tek e panjohura, psherëtiu ish zyrtari, ndërsa pranonte se nuk është e kollajtë të zbulosh naftën.
“Ne ishim afër zbulimit, madje në ‘Sqepur 6’ unë kam qenë autori i projektit të shpimit. Është shpuar ‘Osmëzeza 4’, dhe sot e kësaj dite unë vajta me autorin që ka ideuar këtë projekt e cila është më në Jug të Shpiragut në kreshtën e malit edhe aty del nafta në sipërfaqe”, zbulon në vijim Shehu.
Ai tregon se si pusi u shpua dhe u la përgjysmë më ndërrimin e sistemeve, por në zonë ishin bërë studime dhe kërkime dhe ishte në proces zbulimi.
“Në qoftë se nuk do kishte ardhur 90’ aty do vazhdonin kërkimet mbas ‘Sqepur 6’. Do jepej një pus sipas interpretimeve që do bëheshin, dhe do jepej një pus më tej dhe do zbuloheshin. Megjithatë ne nuk jemi xheloz që këtë e zbuloi një kompani tjetër, historia ka qenë e tillë”, pranon pa asnjë ngurrim ish zyrtari shqiptar.
Inxhinieria e teknologjisë së shpimeve është nga më e komplikuara nga të gjitha llojet e inxhinierisë, shfryn pa duf Shehu.
“Atëherë të ndodhte një avari ishim me lakun në fyt, sepse interesohej Enver Hoxha gjithë paria e shtetit. Ne e realizuam me mjetet tona dhe çuditen dhe të tjerë sepse këto janë formacione shumë të komplikuara (me presion mbi normalen). Në çdo 10 metra rritej presioni 2.2 atm (atmosferë)”, tregon detajet e punës së tij ish zyrtari.
Rrugëtimi “bosh” i kompanive
Një faksimile e së përditshmes amerikane “New York Times”, botuar më 17 korrik 1991 konfirmonte marrëveshjen e naftës shqiptare me Occidental.
“Occidental Petroleum Corpation” fitoi të drejtën për të kërkuar naftë jashtë një pjese të vijës bregdetare të vendit tonë.
Sipas marrëveshjes, Occidental, me qendër në Los Angeles, do të siguronte gjithashtu trajnimin e disa punëtorëve shqiptarë të naftës.
“Mbas viteve 90’, në vitin 2002 erdhi një kompani amerikane ‘Occidental Petroleum’ (Oxy), unë kam marrë pjesë gjithashtu në projektimin e shpimit të pusit që bënë ata. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse, vendburimi i Shpiragut është zbuluar që në vitin 2002, i thonë 21 vjet që është zbuluar”, tregon më tej Shehu.
Pa asnjë kompleks, ish drejtuesi i Institutit të Naftës, pohoi se autoritetet shqiptare të para-viteve 90’, do ta kishin konturuar, vlerësuar dhe plotësuar me gjithë rrjetin e shfrytëzimit brenda katër-pesë viteve Shpiragun.
“Ne i kemi pasur mundësitë financiare, përderisa shpuam një pus 6 mijë e 700 metra”, sqaron ish zyrtari.
Një tjetër kontratë për Blloqet 2 dhe 3 do të miratohej në Baar të Zvicrës më 10 nëntor të vitit 2008 me kompaninë “Manas Petroleum Corp”.
Qeveria shqiptare u përfaqësua asokohe nga Genc Ruli si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Manas & DWM nga kryetari Heinz J. Scholz.
Blloqet 2 dhe 3 ishin eksploruar fillimisht nga Occidental Petroleum dhe Kompania Kombëtare Shqiptare e Naftës “Albpetrol”.
Në dhjetor 2001, pusi Shpiragu-1 i Occidental Petroleum (Blloku 2) u shpall zbulim nafte.
Shpiragu-1, referuar të dhënave të kompanisë, demonstroi praninë e naftës API Light 37-40 me 2,3 për qind squfur me normë mesatare 400-1200 bpd (fuçi nafte dhe gazi në ditë).
“Shpiragu për mua është një vendburim gaz-kondensat jo naftë, sepse në thellësira të mëdha ka temperatura të larta dhe presione të mëdha, raporti i fazave të lëngjeve dhe gazrave ka tjetër ligjshmëri. Këtu ka 60 për qind kondensat sipas analizave që janë bërë nëpër laboratorë dhe 40 për qind është gaz”, shpjegoi inxhinieri Fatmir Shehu.
Gjatë shpimit të Shpiragut operatori hasi në disa probleme të qëndrueshmërisë së pusit dhe përdorimi i vargjeve shtesë të mbështjelljes detyroi një reduktim të diametrit të kordonit të shpimit.
Për të planifikuar për shpimin e ardhshëm Manas-DWM kontraktoi konsulentë të njohur australianë “JRS Petroleum Research” për të analizuar të dhënat, në mënyrë që të optimizonin dizajnin dhe në veçanti stabilitetin e sistemit të baltës – puseve për fushatën e planifikuar të shpimit.
Hyrja në lojë e “SHELL”
Kompania kanadeze që ndihmoi në tërheqjen e “Royal Dutch Shell” në Shqipëri, i shiti në shkurt të vitit 2016 të gjitha asetet e saj në Shqipëri.
Blerësi ishte dega lokale e SHELL-it për 45 milionë dollarë, shprehej Petromanas në një deklaratë.
Falë ekspertizës së saj teknike, Petromanas afroi SHELL-in për shpimin e saj në pusin e Shpiragut.
SHELL bleu fillimisht 50 për qind të aksioneve në sipërmarrjen e tyre të përbashkët në 2012 dhe e rriti atë në 75 për qind në 2013.
Më vonë Petromanas njoftoi se kishin gjetur naftë të lehtë dhe gaz në Shpirag dhe gjithashtu kishin shpuar një pus aty pranë në Molisht.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania SHELL nënshkruan më pas mes tyre marrëveshjen për “Amendimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes hidrokarbure për bllokun 2 dhe 3”.
Marrëveshja u firmos në maj të vitit 2019 nga ministrja, Belinda Balluku, dhe menaxheri i përgjithshëm i SHELL në Shqipëri, Jan-Henk van Konijnenburg.
Në fjalën e saj, ministrja Belinda Balluku vlerësoi atë çka përfaqësonte kompania “SHELL”, si një ndër kompanitë më të mëdha dhe më serioze në sektorin e hidrokarbureve në botë.
“Pika më kruciale është vërtetimi që ky biznes apo ky operacion që po bëhet atje është apo nuk është fizibël, është apo jo me interes ekonomik. Kjo do të thotë që kjo sasi nafte dhe gazi që është në këtë vendburim po ta kthesh në vlerën e tregut të sotshëm ose të nesërm sa e aftë është të mbulojë shpenzimet që po bëhen, do bëhen dhe fitimi që kërkohet qoftë për palën shqiptare dhe investitore”, shton Shehu.
Me ngazëllim eksperti ai thotë se tani është momenti që është rritur shumë çmimi i naftës, dhe ne kemi fatin që jemi në buzë të një tregu “lubi si Evropa”.
Me të njëjtin gëzim kryeministri Edi Rama, deklaronte në shtator të vitit të kaluar se nafta e zbuluar në Shpirag ishte e cilësisë më të lartë në botë.
Rama theksoi se bëhej fjalë për të ardhura që ndryshojnë fuqinë ekonomike të Shqipërisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku do të konfirmonte më 5 korrik vendndodhjen e burimit të hidrokarbureve (naftë dhe gaz) të cilën e ka zbuluar kompania Shell.
“Shell ka gjetur naftë dhe gaz në malin e Shpiragut në Berat. Pritet të ketë një analizë të hollësishme të mënyrës sesi ky hidrokarbur do të dalë nga nëntoka”, vërente zyrtarja shqiptare.
Sipas saj, në mars të vitit 2023 do të ketë më shumë detaje për këtë zbulim.
“Shell ka goditur tashmë një artierie shumë të rëndësishme, e cila është e përbëre nga naftë dhe gaz, ky është një fakt. Në këto momente, faza finale është faza analitike e mënyrës sesi do nxirret i gjithë ky hidrokarbur në mënyrë efiçente”, vijoi sqarimin ministrja.
Balluku solli në vëmendje asokohe se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm, i cili do pasojë zbulimin – rreth 6 deri në 7 miliardë euro.
Ndërsa mbyllja intervistën me ish-zëvendës ministrin e Energjetikës, më kishte mbetur në mendje një frazë e tij.
“Ne e njohim mirë naftën e sotshme, por nuk na njeh nafta ne sot”.
Më tregoi ndërsa qeshnim edhe se Shqipëria mes 500 milionë tonë rezervash gjeologjike, ka edhe rezerva lithium-i në sasira të vogla.
Ose projektet e së ardhmes energjetike në Shqipëri që lidhen me shpimet në bregdet në zona si Panajaja, Povelshi, Divjaka, Durrësi.
Të gjitha këto përvoja jete që po nxjerrin filizat e parë të fitimprurjeve të jashtëzakonshme.
E ardhmja e artë e ekonomisë shqiptare kalon pikërisht nga burimet energjetike të vendit tonë.
Në Evropë tanimë gjendet një Qatar i ri “energjetik”.