KESCO Premium hapet në Qendër të Prishtinës

Me qëllim që të ofrojë edhe më shumë lehtësira për konsumatorët, KESCO ka hapur pikën e re në qendër të kryeqytetit-KESCO Premium Center. Kjo pikë do t’u shërbejë konsumatorëve për pagesa të energjisë elektrike, por edhe për kërkesa të konsumatorëve të të gjitha kategorive.

Kujdes i veçantë i është kushtuar bizneseve, të cilat do të kenë zyre të veçanta dhe do të trajtohen me prioritet.

Meqë kryeqyteti është duke u zgjeruar dhe ndërtuar në vazhdimësi, KESCO po angazhohet që të ofrojë qasje sa më të lehta në kryerjen e shërbimeve të energjisë elektrike. Në hapjen solemne të kësaj dege, Drejtoresha për Shërbime me Konsumatorë, Çështje Rregullative dhe Tarifa, Rudina Heroi – Puka, tha se ky rast shënon një hap të rëndësishëm për të qenë në sinkron me kërkesat e konsumatorëve.

Reklama e sponzorizuar

“Hapja e KESCO Premium Center dëshmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të qenë në hap me zhvillimet inovative dhe kërkesat e konsumatorëve, duke ofruar shërbime cilësore e moderne, të cilat janë gjithmonë e më pranë dhe lehtësisht të disponueshme për konsumatorët tanë. Përmes punëtorëve tanë të trajnuar dhe profesionalë synojmë të ofrojmë shërbime të personalizuara dhe profesionale, përfshirë pagesat e sigurta, të shpejta duke përdorur teknologjitë më të avancuara”, tha ajo.

Të kënaqur me hapjen e kësaj dege, u shprehën edhe disa konsumatorë, të cilët ishin të parët që kryen pagesa në këtë pikë, duke thënë se “kjo pikë e re është ndihmesë e madhe për ne sepse është më në qendër dhe nuk kemi nevojë me pritë në radhë të gjata, por kryejmë shërbime menjëherë”.

Me liberalizimin e tregut përpara, KESCO vazhdon ta dëshmojë se nuk është këtu vetëm për të dëgjuar, por edhe për të vepruar sipas nevojave të konsumatorëve, duke lënë ndikim pozitiv në jetën e gjithsecilit.