Që nga paslufta e deri në vitin 2017, rryma e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, u është faturuar në mënyrë të kundërligjshme qytetarëve të pjesëve tjera të Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për miliona euro, për të cilat qytetarët e Kosovës po presin kompensim nga shteti.
Buletini Ekonomik
Miliona euro janë marrë kundërligjshëm nga qytetarët e Kosovës përmes faturave të energjisë elektrike për rreth 18 vjet me radhë, për mbulimin e borxheve të rrymës së shpenzuar nga banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Duke qenë se banorët serbë nuk kanë pranuar asnjëherë që nga paslufta të paguajnë për rrymën e shpenzuar në Kosovë, shteti i Kosovës kishte vendosur që atë borxh t’ua faturojë qytetarëve të vet.
Vendimin për pagesën e rrymës në veri nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës atëkohë, më saktësisht e kishte marrë vet Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE).
Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore. Dhe pas kësaj, pra nga 2017-ta, kjo përgjegjësi e pagesës kishte kaluar te Qeveria e Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), vetëm nga muaji dhjetor të vitit 2017 e deri në fund të vitit 2021, vlera e energjisë së tërhequr nga sistemi inter-konektiv për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës, vlerësohet të ketë qenë 40 milionë euro.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor të vitit 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, e kishte detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017 kanë paguar për rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.
Mirëpo, ku mbeti ky vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë që obligonte ZRRE-në dhe KEDS-in që t’i kompensojë qytetarët për rrymën e paguar kundërligjshëm?
Zyrtarë të ZRRE-së kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se e kanë apeluar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës Themelore.
Vendimin e Gjykatës Themelore, ZRRE-ja e kishte apeluar në Gjykatën e Apelit dhe më pas edhe në atë Supreme, por Supremja e kishte refuzuar si të pabazuar këtë kërkesë.
Sipas aktgjykimit të Supremes, konsumatorët që kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri me vite, kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve.
Në vendimin e Gjykatës Supreme u tha se kjo praktikë e faturimit nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për rregullatorin për energji elektrike, pasi “është bërë trajtim i pabarabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me banorët e pjesës tjetër dhe se i njëjti faturim nuk është i autorizuar me ligj”.
“Nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, kishte njoftuar Supremja me 13 prill të këtij viti.
E nga Zyra e Avokatit të Popullit, që njëherit ishte edhe iniciuesi i padisë për rimbursimin e mjeteve për qytetarët, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se nuk kanë informacione se kur dhe se si do të bëhet rimbursimi, por thonë se ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme gjyqësore është obligim ligjor dhe kushtetues.
“Avokati i Popullit nuk ka informacion se kur dhe si do të rimbursohen qytetarët sipas Aktgjykimit A.nr.1373/2017. Ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme gjyqësore është obligim ligjor dhe kushtetues, andaj Avokati i Popullit pret që ZRrE ta zbatojë Aktgjykimin në pajtim me kushtetutën dhe ligjin”, kanë thënë nga Zyra e Avokatit të Popullit.
Ndërkaq, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë konstatuar për Buletinin Ekonomik se ky institucion tashmë ka parashtruar kërkesë për shqyrtim të vendimit edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 maj të këtij vitit, derisa më datë 16 qershor kanë marrë përgjigje nga Kushtetuesja se është pranuar rasti, dhe se tani janë në pritje të shqyrtimit nga vet Gjykata.
“Më lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, ka parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë. 24.05.2023. Nga Gjykata Kushtetuese me dat.16.06.2023, ZRRE-ja është njoftuar për regjistrim të rastit dhe është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata”, thuhet në përgjigjet e ZRRE-së.
Ndryshe, në tetor të vitit 2022, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se KOSTT-i dhe kompania serbe, Elektrosever në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë që kishte dalë nga marrëveshja e vitit 2013 për energjinë mes dy vendeve në kuadër të dialogut. Ky Udhërrëfyes parashihte që Elektroserver të merrej me furnizimin dhe faturimin e e rrymës së shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas lëshimit të licencës kishte deklaruar se “Elektroseveri” nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.
“Elektroseveri”, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS. Megjithatë, edhe pas licencimit të kësaj kompanie, disa herë është raportuar në media se Elektroserver nuk është duke i përmbushur obligimet që i kushtëzohen në bazë të marrëveshjes së arritur. /Buletini Ekonomik/