Mbyllet java e aktiviteteve “Ditët e Mjedrës”.

Dje është realizuar ngjarja e fundit e “Ditëve të Mjedrës”, një event i veçantë që ka treguar përkushtimin e Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës “ dhe akterëve të tjerë për fuqizimin e fermerëve të mjedrës.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të donatorëve, shoqatave rajonale, pikave grumbulluese dhe fermerëve, ky event i dytë me radhë ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt kthimit në një traditë të rëndësishme për sektorin e pemëve të imta.
Nisur që nga data 21 Gusht, “Ditët e Mjedrës” kanë sjellë një valë të aktiviteteve.
Fermerët kanë dhuruar mjedra për të ndihmuar shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet regjionale, ndërsa konkursi i fotografisë “Mjedrat tona” ka identifikuar talentë të fotografisë.
Një nismë tjetër e rëndësishme është oferta e mjedrës me zbritje në supermarkete, vizitë në pikën grumbulluese “EuroFruti” dhe në plantacionet e mjedrës.

“Ditet e Mjedrës” nuk janë vetëm një event, por një frymësim që na bën të kujtojmë vlerat e përbashkëta dhe ndikimin që mund të kemi në komunitet.
Kjo ngjarje është realizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” në kuadër të projekti #SIRED i cili implementohet nga Caritasi Zvicerian në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim në partneritet me 9 komuna të Kosovës.