MD e shkarkon avokaten shtetërore I.A., Sallahu ia numëron “shkeljet” e përmend edhe një ujdi 500 mijë euroshe

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se kanë pranuar një vendim të Komisionit të Ministrisë së Drejtësisë sipas të cilit shkarkohet nga Shërbimi Civil, Avokatja Shtetërore I.A. Sallahu ka thënë se ajo ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara.

Sallahu ka renditur disa nga “shkeljet” e avokates, derisa ka përmendur se ajo ka lidhur një ujdi në vlerë presj 505 mijë eurosh “pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit”.

“Sapo pranuam Vendimin e Komisionit Disiplinor “Gjatë ushtrimit të funksionit të saj, Avokatja Shtetërore:  Ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës; Ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët; Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore; Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit; Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim.  Ka pranuar Vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë eurosh.  Nuk ka raportuar tek udhëheqësi”, ka shkruar Sallahu.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se veprime të tilla minojnë dhe cenojnë interesin publik dhe janë të papranueshme.

“E përshëndes Vendimin e Komisionit dhe pres që raste të tilla të jenë mësim për ata që Institucionin publik të vendit tonë e shohin si mundësi për zhvatje e krijimin e përfitimeve të paligjshme vetjake a të palëve të tjera. Pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike për shkak të ish pushtetarëve. Nuk duhet e nuk do të jetë më.”