Ministria e Mjedisit anulon licencat e dy kompanive për rastin Varosh në Ferizaj

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka anuluar licensat e dy kompanive (personit juridik dhe atyre fizik) për ndërtimin e një inceneratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

Lajmin e bëri të ditur zëvendësministri i MMPH-së, Avni Zogiani, përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.

Sipas tij, anulimi i licencave në kuadër të kësaj ministrie janë bërë për herë të parë duke u bazuar në shkeljen e kritereve, ligjit, dhe etikës në përpilim të Raportit.

Reklama e sponzorizuar

“Rasti për të cilin është bërë ky raport tashmë është nisur në adresë të Prokurorisë Speciale, kurse pas anulimit të licensave për vlerësuesit do të shifet nëse ka bazë për veprime të mëtutjeshme”, ka shkruar Zogiani.

Ndryshe, edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ditë më parë kishte njoftuar se kanë pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

Ai kishte thënë se ministria që drejton në dhjetor të vitit të kaluar i kishte lëshuar pëlqimin mjedisor një kompanie për incenerator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit.

Sipas tij, kjo ishte bërë pa i përfillur ligjet dhe pa konsultim me ekspertë të ambientit.