MINT: ARBK ka shfuqizuar certifikatat e 15 bizneseve me përmbajtje antikushtetuese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se Agjenci për Regjistrimi të Bizneseve të Kosovës (ARBK), deri më tani ka shfuqizuar  15 certifikata të regjistrimit të bizneseve me përmbajtje antikushtetuese.

Në njoftimin e MINT, thuhet se “pas pranimit të raportit të komisionit për riverifikim të dosjeve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe shqyrtimit të mëtejmë të listës së 48 bizneseve me përmbajtje antikushtetuese, ARBK, deri më sot, ka shfuqizuar 15 certifikata të regjistrimit të bizneseve”.

“Shoqëritë tregtare gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë,, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas MINT, këto 15 shoqëri tregtare, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Pec, Republika Srbija“; “Pec, SRB“; “Gnjilane, Srbija”; “Pristina, Srbija”; “Djakovica, Republika Srbija”; “Kosovska Mitrovica, Republika Srbija” etj.

Lista e shoqërive tregtare që kanë dorëzuar për regjistrim dokumentacion që cenojnë Republikën e Kosovës, e të cilave iu është shfuqizuar certifikata e biznesit nga ARBK-ja:

BOMEK SH.P.K.

LENSIA SH.P.K. ( me emërtim te vjetër EPOXY SB- BODEN L.L.C.)

MAP SH.P.K.

MTS D.O.O.

NDERTIMI FI 6285 92 SH.A.

THE BUSINESS CLUB L.L.C.

LIRIAN CARS L.L.C.

BUS SOFTËARE SH.P.K.

GLOBOSOS SH.P.K.

AGENCY S&E SH.P.K.

DEVOLLI GROUP SH.P.K.

VITALAND L.L.C.

BEYOND SH.P.K.

ELBA PARTNERS L.L.C.

PITE KATUNI SH.P.K.

MINT thotë se shfuqizimi i certifikatave të shoqërive tregtare, që janë identifikuar me shkelje të njëjta apo të ngjashme, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

“Në ndërkohë, ARBK ka vazhduar të bëjë edhe regjistrimin e bizneseve të reja, të cilat kanë aplikuar sipas kërkesave ligjore, me dokumente valide dhe me përmbajtje në pajtim me frymën kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

“Vetëm për dy ditët e fundit, pra me 7 dhe 8 gusht 2023 në sportelet zyrtare të ARBK-së janë regjistruara 86 shoqëri tregtare  te reja, prej të cilave janë 33 biznese individuale (B.I) dhe 53 biznese shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SH.P.K)”.

MINT thotë se ARBK mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të shpejta dhe të sigurta për bizneset që operojnë në Republikën e Kosovës, por gjithnjë duke u kujdesur që gjatë këtij procesi të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.