Mungesa e sistemit të ujitjes ul rendimentet në vend

Mungesa e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e rendimenteve. Në Kosovë, aktualisht, vetëm rreth 20 mijë hektarë janë nën sistemin e ujitjes. Bujqit theksojnë se Ministria e Bujqësisë duhet ta ketë prioritet zgjerimin e sistemit edhe në komunat që nuk është i pranishëm ky sistem.

Një prodhimtari intensive bujqësore nuk mund të këtë efikasitet nëse nuk ka lagështi të mjaftueshme ose sistemin e ujitjes.

Në shumicën e rasteve në Kosovë bujqit kanë bërë zgjidhje në mënyrë vetanake, për të krijuar një sistem të ujitjes.

Reklama e sponzorizuar

Edhe bujku nga Peja, Milaim Shala, thotë për Radio Kosovën se ka investuar në sistem vetanak të ujitjes nga tre puset e hapura në fushën e tij.

“Ne kemi sistem vetanak. I kemi tre puse në thellësi deri në 12 metra. Ka kosto por nuk është edhe aq e lartë vetëm deri sa të shpërndash sistemin e ujitjes nëpër sera dhe fushë të hapur. Nëpër sera sistemi i ujitjes është pikë-pikë kurse në fushë të hapur e kemi me pipa”, tha ai.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, thekson se deri tani ka qenë një sipërfaqe e caktuar e sistemit të ujitjes por e pa përfunduar siç është sistemi Ibër-Lepenc.

Rusinovci thotë për Radio Kosovën se vend ynë renditet i fundit për mosfunksionalizim të sistemit të ujitjes.

“Pa sistem të ujitjes, një prodhimtari e qëndrueshme, stabile një rendiment i kënaqshëm për këtë ose atë kulturë, nuk mund të evidentohet dhe nuk mund të jetë prezent”, tha ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, potencon se sistemi i ujitjes funksionon vetën 20 për qind dhe se ky sistem është i vjetruar.

“Është i stërvjetruar ky sistem, i keqpërdorur, i lënë mbrapa dhe ka ndërtime mbi rrjetin e këtyre hidrosistemeve dhe ndërtimet e kanë penguar funksionimin e këtyre sistemeve. Kosova ka nevojë për ujitje dhe ujitja nuk ka funksionon as 20 për qind”, u shpreh ai.

Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, numri i përgjithshëm i sipërfaqeve të ujitura në Kosovë gjatë vitit 2022, është gjithsej 18 mijë e 884.86 hektarë.

Të dhënat për ujitje në çdo vit kërkohen nga të gjitha komunat e Kosovës, mirëpo në vitin 2022 kanë raportuar vetëm 28 komuna.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për “Projektin për Përmirësimin dhe Rehabilitimin e Sistemeve të Ujitjes” në vlerë 9 milionë euro.