Murati: Tani bankat e kanë obligim të ofrojnë falas llogari bazike bankare

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për bankat.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai tha se nga data 1 gusht 2023, bankat kanë për detyrë të ofrojnë llogari bazike falas ose me kosto minimale që nuk kalon 0.54 centë për muaj.

“Tani e tutje pra, po zgjidhet edhe problemi i kostos së lartë për mirëmbajtje mujore të llogarive bankare ku nënat pranojnë shtesat për fëmijët e tyre. Vazhdojmë”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Më tej ka theksuar se  350 mijë fëmijë tani marrin shtesa çdo muaj, dhe mbi 90 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë.

“Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë janë tashmë premtime të përmbushura që në gjysmën e parë të mandatit. Mbi 350 mijë fëmijë tani marrin shtesa çdo muaj, dhe mbi 90 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë”, ka deklaruar Murati.

Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.

Detaje rreth rregullores së re mund të gjeni duke klikuar KËTU.