Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Propozim- vendimin për këtë e bëri zëvendësministri i MMPH-së, Hysen Durmishi.

“Sot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundimin e parakohshëm të mandatit të drejtorit të përgjithshëm të Autoriteti të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mos-aprovimi i raporteve vjetore të AAC nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve proporcionale të z.Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC, raportimi me shumë gjetje i autoriteti mbikëqyrës të Islandës në emër të KFRO-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga DEASA dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z.Ejupi”, tha Durmishi.

Reklama e sponzorizuar

Kujtojmë se Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, javë më parë kishte kërkuar shkarimin e drejtorit Bujar Ejupi.

Sindikata e AAC-së kishte kundërshtuar projekt-rregulloren e brendshme të cilën drejtori Ejupi e kishte dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.

“Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite. Apelojmë te ministri Aliu dhe kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC”, thuhej në reagimin e sindikatës.