Shteti po bllokon qindra miliona euro investime në energji solare

Panele solare dhe turbinat me erë

Procedurat burokratike janë duke ia humbur Kosovës qindra miliona euro investime në sektorin privat të energjisë solare. Pikëpyetjet se pse po ndodh kjo mbesin të mëdha.

Dimri mund ta zërë Kosovën me reduktime, apo me fryrje të faturave të energjisë elektrike. Raporti mes prodhimit dhe shpenzimit të energjisë elektrike në Kosovë, sidomos gjatë dimrit, është hendek i madh.

Megjithatë, bazuar në të dhënat e publikuara nga KOSTT, afro 30 kompani deri në fund të vitit 2022, kanë marrë informata teknike për kyçje në rrjet, por shumica nga këto kompani nuk po mund të vazhdojnë tutje me projektet private, pasi nuk mund të aplikojnë për kushte ndërtimore pranë Ministrisë së MPHI, me arsyetimin se komunat nuk i kanë paraparë parqet solare në Planet Zhvillimore Komunale, respektivisht nuk po munden as që t’i shtojnë kur bëhen Hartat Zonale.

Reklama e sponzorizuar

Planet Zhvillimore Komunale bëhen një herë në tetë vjet, dhe Ministria nuk ka kthyer përgjigje nëse kjo nënkupton që të gjithë investitorët potencialë duhen të presin që të skadojnë PZHK-të aktuale, në mënyrë që të vazhdojnë me procedurat.

Ndërkohë, Ministria e Energjisë nuk ka kthyer përgjigje se kush e merr përgjegjësinë nëse investitorët potencialë drejtojnë investimet në vendet e rajonit dhe çka nëse për shkak të disa procedurave burokratike, Kosova do të dështojë në thithjen e investimeve dhe do të detyrohet të importojë rrymë.

Sa për informatë shtesë, gjatë 2023 në KOSTT kanë aplikuar edhe së paku edhe 20 kompani të tjera për ofrimin e zgjidhjes teknike për kyçje të parqeve solare në rrjet.

Kosova
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kostoja e energjisë ka pasur një ngritje të paimagjinueshme, të gjitha shtetet kanë reaguar menjëherë duke filluar ndërtimin e kapaciteteve të reja me burime të energjisë së ripërtritshme, apo kthimin e Gazit te lëngët në Gaz, rikthimin në funksion të Centraleve Atomike etj.

Kosova ka refuzuar projektin ku si burim ka qenë thëngjilli, por në të njëjtën kohë ka stagnuar me zhvillimin e energjisë së ripërtritshme.

Shqipëria
Ka liberalizuar tregun e energjisë elektrike.
Ka 109 kompani aktive të licencuara në Furnizim. Tregti dhe Prodhim të energjisë elektrike.
Ka organizuar ankande 300 MW për prodhime me energji solare/hybrid me mundësi konkurrimi me tokë private.
Ka 210 MW energji solare në ndërtim e sipër.
Ka lehtësuar procedurat për investime private në sektorin e energjisë

Maqedonia
Ka liberalizuar tërësisht tregun e energjisë elektrike.
Janë 500 MW projekte solare në tokë në ndërtim e sipër me investime private.
Rreth 3000 MW projekte solare në tokë janë në proces të marrjes së lejeve.
Janë në funksion 165 MW solare me investime private.
Ka vendosur cakun 46% deri në vitin 2025 nga burimet e ripërtritshme të energjisë.
Ka krijuar atraksion për investime private në sektorin e energjisë.

Mali i Zi
Ka liberalizuar tregun e energjisë elektrike.
Ka lëshuar Marrëveshje të kyçjes mbi 600 MW solare.
Ka zhvilluar hidro, erë dhe ka hapur mundësi për investime private.

BeH
Ka hapur tregun e energjisë.
Ka lëshuar marrëveshje të kyçjes në sistemin e transmetimit për hidro, solare dhe erë.
Ka vendosur cakun 40% nga burimet e ripërtritshme deri në vitin 2025.

Serbia
Ka liberalizuar tregun pjesërisht.
Ka plane konkrete për projekte solare me fuqi 5000 MW.
Ka plane konkrete për 2500 MW me erë.
Ka plane konkrete për instalimin e baterive qindra megavatëshe
Ka rritje të madhe në instalime për vetkonsum.

Greqia
Ka tregun e liberalizuar.
Derisa në vitin 2018 në Greqi instaloheshin afër 400 MW projekte solare.
Që nga viti 2019 në Greqi instalohen mesatarisht 1,700 – 2,000 MW në vit projekte solare.
Greqia është lider në rajon për burime të ripërtritshme dhe ka vendosur cakun 55% të bruto konsumit final të energjisë me burime të ripërtritshme deri në vitin 2025.

Bullgaria
Ka tregun e liberalizuar.
Ka lëshuar licenca gjenerimi për 4500 MW solare dhe erë për vitin 2022/2023 dhe pritet të lëshohen në punë në vitin 2024.