Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, ka miratuar ndryshimet e Rregullores për Sistemin e Pagesave Ndërbankare të Kosovës-KIPS, me qëllim të rritjes së efikasitetit të shërbimeve të pagesave, si dhe reflektimit të synimit për zgjerimin e sistemit me institucione tjera të pagesave dhe parave elektronike, kur të krijohen kushtet.
“Këto ndryshime janë pjesë e veprimeve që Banka Qendrore ka planifikuar në kuadër të një prej objektivave kryesore të saj për nxitjen dhe ruajtjen e një sistemi të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave, të cilat pritet të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve të pagesave”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Disa prej përmirësimeve në funksione dhe procese të këtij sistemi, të mundësuara me këto ndryshime janë:
Kreditimi i llogarisë për transaksionet e pagesave të pranuara, vetëm përmes verifikimit të IBAN, në pajtim me rregullat e Skemës së Pagesave të BE-së SEPA për pagesat me vlerë të vogël, çfarë pritet të ndikojë në uljen e kthimeve të pagesave dhe procesim më efikas të tyre;
Procesimi më efikas i transaksioneve për shkak të lirimit të hapësirës së bazës operacionale të sistemit;
Rregullimi i huas brenda-ditore dhe shpalosja e disa veglave të nevojshme për menaxhimin më të mirë të likuiditetit për pjesëmarrësit e këtij sistemi;
Përcaktimi i saktë i momentit të regjistrimit dhe shlyerjes së një transaksioni, nga kur i njëjti konsiderohet i parevokueshëm, si parim bazë i sistemeve të pagesave; si dhe
“Qartësimi i kritereve të anëtarësimit të pjesëmarrësve në KIPS, me mundësinë që në të ardhmen të krijohen kushtet ligjore dhe teknike edhe për anëtarësimin e pjesëmarrësve të ri jobankar, siç janë institucionet e pagesave dhe institucionet e parave elektronike”, thuhet në komunikatën e BQK-së.