Në Kosovë, për dallim nga shumë shtete të botës, nuk funksionojnë masat për frenimin e çmimeve të egra. Ka çmime vazhdimisht të ngritura thuaja të shumicës së produkteve të tregtuara, e sidomos të produkteve elementare ushqimore dhe të produkteve bujqësore. Mërgimtarët tanë, bashkëbisedues të reporterëve të Buletinit Ekonomik, me rastin e qëndrimit të tyre në Kosovë përsëritën sa e sa herë se çmimet e shumë produkteve, e sidomos të atyre qenësore ushqimore si dhe të produkteve të higjienës, janë më të larta se në shtetet perëndimore ku ata janë duke jetuar dhe punuar.
Mehmet GJATA
E gjithë bota, edhe shtetet fqinje me Kosovën, në të gjitha kohët, e sidomos në periudha krizash dhe të tendencave të shfrenimit të çmimeve të produkteve ushqimore, kanë bërë përpjekje për të ndërmarrë masa për ta parandaluar ‘fluturimin’ e çmimeve, ose së paku për t’i zbutur pasojat nga çmimet enorme të paralajmëruara dhe të ndodhura.
Shumë shtete të botës, me raste, në periudha krize dhe postkrizave që reflektuan në mirëqenien e qytetarëve të vet, kanë ngrirë çmimet e produkteve esenciale ushqimore për muaj të tërë, ose në pamundësi për ta bërë këtë kanë ndërmarrë masa të tjera, bile edhe duke shtuar inspektimet tek tregtarët. Në njëfarë mënyre, kjo përvojë që është dëshmuar në disa shtete edhe e efektshme, po vazhdon.
Shembullin më të ri për këtë e dëshmoi sërish Maqedonia e Veriut këtyre ditëve, duke vendosur të ulë çmimet e 50 produkteve ushqimore, me qëllim për të mbrojtur qytetarët. Këtyre produkteve bazike, siç kanë njoftuar mediet e fqinjit tonë, do t’iu vihet etiketa “çmim i garantuar” dhe do të shiten 10 për qind më lirë sesa deri tani, duke filluar nga 20 shtatori deri më 30 nëntor. Në mesin e produkteve bazike që do të shiten më lirë janë buka, mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, frutat dhe perimet.
Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi, me këtë rast tha se Qeveria u detyra të marrë masa për ndryshimin e çmimeve të produkteve bazike, pasi gjeti dallim të madh të çmimeve të tyre në tregjet botërore me ato vendase.
“Të gjitha analizat tregojnë se nuk ka arsye për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, as nga ana e tregtarëve, as nga ana e prodhuesve. Kjo nuk mund të ndodhë duke marrë parasysh çmimet në bursat botërore që kanë shënuar rënie”, tha ministri Bekteshi.
Në Kosovë, nuk ka këso masash, as sosh të ngjashme, sado që ka gjetje për dallim kolosal të çmimeve të shumë produkteve në tregjet botërore me ato vendase. Ka çmime vazhdimisht të ngritura thuaja të shumicës së produkteve të tregtuara, e sidomos të produkteve elementare ushqimore dhe të produkteve bujqësore.
Mërgimtarët tanë, bashkëbisedues të reporterëve të Buletinit Ekonomik, me rastin e qëndrimit të tyre në Kosovë përsëritën sa e sa herë se çmimet e shumë produkteve, e sidomos të atyre qenësore ushqimore si dhe të produkteve të higjienës, janë më të larta se në shtetet perëndimore ku ata janë duke jetuar dhe punuar. Dhe, kjo është e vërtetë e pamohueshme.
Në këtë mënyrë, çmimet në vendin tonë kanë arritur pikën kritike duke ndikuar në përmasa tronditëse në mirëqenien e kosovarëve dhe në rritjen e madhe të varfërisë së kosovarëve. Në Kosovë, ç’është e vërteta, çmimet kanë zënë të jenë jashtë kontrollit që moti, por qëkur nisi lufta ruso-ukrainase, pra që nga 24 shkurti i vitit të kaluar, nisën “fluturimet” e vërteta të tyre, të nxitura sidomos nga tregtarët, përfitues të situatave krize më së shumti, manipulues ordinerë, keqpërdorues të egër, pak a shumë me identitet të njohur që më parë (të evidentuar për veprime të njejta në shunmë raste më përpara).
Në fakt, ngarendja për ngritje çmimesh edhe në Kosovë ka nisur me fuqizimin e faturave të çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve, që abuzuesit suksesivisht e zbatuan vrullshëm thuaja në të gjitha çmimet e të gjitha produkteve, por më së shumti në produktet bazike ushqimore.
Tani, nuk ka nevojë më as për ta ilustruar shkrimin me shifra. Çdo gjë është shtrenjtuar në përmasa të pakuptueshme. Një kilogram domate që deri para pak kohësh bënte 60-70 centë, shumë-shumë 1 euro, sot tregtohet deri në 2,5 euro. Një paketim me oriz (700 ose 800 gramësh) që vetëm para një viti ka kushtuar nën një euro, tani kushton mbi 2,5 euro. Pjekurinat e bukës, që rëndom tregtohen rreth e qark shkollave (nxënësit janë konsumatorët më të shumtë të tyre)e që jo shumë moti kanë kushtuar 10 deri në 15 centë, tani e kanë çmimin 40 centë. Në shumë shitore, markete dhe megamarkete që tashmë kanë vërshuar qendrat e Kosovës, nuk ka ditë që nuk ndodhin ngritje të reja çmimesh. Prandaj, numrat e përqindjeve të çmimeve të ngitura brenda ditës janë bërë në Kosovë relativë. Dhe të gjitha këto çmime sot janë shumë më të larta se ato të produkteve të njëjta në rajon dhe më gjërë.
Nuk ka më nevojë të konstatohen këto fakte. Ato janë evidente, madje aq të tejdukshme, saqë përpjekjet për të konstatuar “se po ndodhin keqpërdorime, manipulime dhe abuzime” nga tregtarë dhe prodhues abuzues, kanë zënë të bëhen irrituese në opinionin tonë.
“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë. Aktualisht, çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të ç‘fryhen. Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, kishte deklaruar kryeministri Kurti para rreth dy vjetësh, kur ndodhi ngritja rekorde e çmimit të vajit ushqimor dhe të disa produkteve të rëndësishme elementare ushqimore.
Por, më kot, praktikisht kryeministri ishte i prerë në deklaratat e tij edhe të mëpastajme se “këto çmime të fryra duhet të ç‘fryhen”. Ishin fare të kota edhe thirrjet drejtuar prokurorisë që të fillojë hetimet, dhe përkujtesat e tyre se “kurdisja dhe orkestrimi i çmimeve është vepër që sanksionet me burgim deri në 5 vite dhe gjobë shtesë”.
Deri më tash nuk pati asnjë efekt as njoftimi i Kryeprokurorit të Shtetit, se “Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor apo që në ndonjë mënyrë tjetër të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo të shitjes së mallrave, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë”.
Kosovarët, që këto ditë kanë mbi shpinë çmimet rekorde të shumë produkteve të shportës, ndër më të lartat në botë, janë lodhur nga premtimet e zotuara të zyrtarëve për të vënë rend në ecurinë e çmimeve. Ata nuk besojnë shumë as në disa inspektime që në raste tashmë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka kryer në ca markete lidhur me ngritjen e çmimeve. Fundja, çka i duhet varfanjakut kosovar keqardhja e zyrtarëve të bëra në postimet e tyre në rrjetet sociale se “me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale dhe se dikasteret përkatëse në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës”.
Cilat masa po i ndërmerr kjo qeveri për uljen e trendit të shpërthimit të çmimeve, qoftë edhe të produkteve bazike ushqimore? Po të ndërmerrej, fundja ndonjë masë, do të duhej të vërehej edhe ndonjë efekt i tyre. S’ka masa, s’ka efekte: çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të jenë enorme dhe jashtë çdo logjike të tregut. Nuk është “gjendja nën kontroll” siç na i kanë mbushur veshët me deklarata të këtilla autoritetet.
Duhet thënë troç: nuk ka gjendje nën kontroll përderisa ka shpërthim ngritje çmimesh në nivel të rekordeve rajonale dhe përtej. Hallexhinjtë kosovarë, pra, janë ngopur me konstatime, me gjetjen e fajtorit ndër qeveritë e kaluara, që ç’është e vërteta, kanë shumë faje për vobektësinë tonë. Janë tashmë të ngopur edhe me konstatimet se rritja e çmimeve është artificiale dhe se opozita me dërgimin e Ligjit për çmimin tavan për disa produkte ushqimore në Kushtetuese ua “kanë lidhur duart pushtetit për të ndërmarrë ndonjë masë për frenim të çmimeve të egra. Thjeshtë, kosovarët tashmë janë ngopur me shprehjet e keqardhjeve dhe të shqetësimeve të panumërta të zyrtarëve për shfrenimin e çmimeve. Kosovari që mezi mbyllë muajin me muaj, dhe që të tillë janë numerikisht shumicë, duan stopimin e trendit të pandalshëm të ngritjes së çmimeve, duan kthimin e çmimeve në nivelin e arsyeshëm kudo ku ka pasur abuzime, duan saksione për abuzuesit. Ndryshe, institucionet e Republikës dhe zyrtarët kompetentë janë bashkëpjesëmarrës të kaosit dhe anarkisë që po vazhdon të ketë ndikim të padiskutueshëm në përshkallzimin e ç’ekulibrimit real social të Kosovës, si dhe në thellimin e varfërisë që po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. /Buletini Ekonomik/