Pas futjes së embargos nga Kosova ndaj shumë produkteve me origjinë nga Serbia, si pasojë e ashpërsimit të raporteve politike të dy vendeve, në tregjet e vendit, tani dominon Coca-Cola e prodhuar në Maqedoninë e Veriut. Pse mungon Coca-Cola e prodhuar në Shqipëri?
Buletini Ekonomik
Coca-Cola, njëra nga pijet e preferuara edhe te klientela kosovare dhe e konsumuar jo pak në kafiteritë, restorantet, por edhe nëpër shtëpitë tona, thuaja që nga paslufta e këtej, është importuar nga Serbia, prodhuesi i kësaj pije në Beograd. Dhe ky import, thjeshtë ka qenë i kushtëzuar nga kompania e njohur e Coca-Cola-s, e cila edhe pse ka thuaja në shumicën e vendeve të rajonit kapacitete prodhuese (Fabrika të Coca-Cola-s), për shkak të një politike të brendshme të distribuimit të këtij produkti dhe ndarjes sipas zonave të shitjes, pikërisht për shkak të kësaj politike.
Në këtë mënyrë, për shkak të kësaj ndarjeje zonale, më kot shumë tregtarë nga Kosova kanë bërë përpjekje që të importojnë Coca-Cola nga Shqipëria, para se gjithash, por edhe nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Greqia, për të anashkaluar dhe për të bojkotuar prodhimin serb.
Ata kanë qenë të detyruar të importojnë këtë produkt nga Beogradi, ose të mbesin të zbrazta depotë dhe marketet e tyre. Por, pas futjes së embargos nga Kosova ndaj shumë produkteve me origjinë nga Serbia, si pasojë e ashpërsimit të raporteve politike të dy vendeve, të pasuara nga ngjarjet e mëhershme të ditura në veri të vendit, në tregjet e vendit, tani dominon Coca-Cola e prodhuar në Maqedoninë e Veriut.
Praktikisht, i tërë tregu i Kosovës është i mbuluar me këtë produkt që vie nga Maqedonia e Veriut, pos rasteve ku ka ende stoqe të Coca-Cola-s nga Serbia, ose rasteve të kontrabandimit të kësaj pijeje nga Serbia, nga tregtarët e pandërgjegjshëm.
Janë të evidentuara tashmë shumë raste kur pije të ndryshme të prodhuara në Serbi kontrabandohen nëpërmjet rrugëve ilegale në veri të Kosovës dhe prej andej futen, po kështu, ilegalisht, në brendi të vendit. Edhe pse asnjëherë zyrtarisht nuk është njoftuar për shkaqet e pamundësisë për të importuar këtë pije nga Shqipëria, vazhdon të mos ketë në Kosovë Coca-Cola që prodhohet në Tiranë, sikundër që vazhdon të mos ketë asnjë sqarim për këtë ndalesë. Është faji i tregtarëve tanë, i politikës së distribuimit sipas zonave të këtij produkti, apo i çmimit, ndoshta do ta sqarojë ndokush ndonjherë. /Buletini Ekonomik/