Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për dekretimin e Ligjit për zyrtarët publikë, pasi Gjykata Kushtetuese kishte kontestuar disa nene të këtij ligji.
E lidhur me këtë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se sa i përket pastrimit të Ligjit për zyrtarët publikë duhet adresuar Kuvendit të Kosovës.
“Sa i përket pastrimit të Ligjit për Zyrtarë Publik, ju ftojmë që për këtë t’i adresoheni Kuvendit të Kosovës si autoritet që ka pasur përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për ta pastruar ligjin nga nenet e kontestuara.
Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe rregullorja e Kuvendit (Neni 91, para 2 i Rregullores), përcaktojnë një përgjegjësi të tillë”, tha Kupina.
Ai bëri të ditur se sipas rregullores, nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndonjë nen të aktit para hyrjes në fuqi të të njëjtit, kryetari i Kuvendit kërkon nga komisioni funksional që në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta përgatisë tekstin e aktit për shpallje nga Presidenti.
“Pra, përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetutese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit (komisionit funksional) dhe jo e Presidentes.
Presidentja nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përgatitjen apo përshtatjen e ligjit me aktgjykimin e gjykatës”, u shpreh për Telegrafin këshilltari për media i presidentes.
E sipas tij, nëse ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së ligjit nga ana e Kuvendit, Presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike.
Ndryshe, një ditë më parë koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka reaguar pas dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë nga presidentja Vjosa Osmani, ndonëse Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar këtë ligj muajin e kaluar.
Gruda, në një konferencë për media, tha se ky është një akt i paprecedentë i mashtrimit publik dhe shkelje e qëllimshme e Kushtetutës, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative për të gjitha autoritetet publike në Kosovë.
“Me këtë akt, fatkeqësisht, edhe presidentja e Kosovës e cila e ka dekretuar këtë ligj, ka bërë shkelje të Kushtetutës, duke iu bashkuar kështu shkeljeve të vazhdueshme që bën Qeveria. Pasi nuk kanë arritur që në rrugë normale kushtetuese të imponojnë agjendën e tyre politike në legjislacion, shumica parlamentare në bashkëpunim me presidenten, kanë vendosur që të bëjnë një akt të paprecedentë të mashtrimit publik me tekstin e ligjit dhe shkeljes së Kushtetutës”, tha ai.
Para dy muajve, Gjykata Kushtetuese i kishte hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, gjersa kishte kërkuar të ndryshohen disa nene.
Në njoftimin për media thuhej se Gjykata ka bërë të ditur se është urdhëruar Kuvendi i Republikës së Kosovës që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.