Njësia B1 e termocentralit Kosova B dhe A3-shi i Kosovës A, ende janë në proces të riparimeve teknike. Kosova, përkundër kthimit të kohëpaskohëshëm së borxhit ndaj KESH-it gjatë natës, ende ka një sasi jo të vogël borxhi ndaj Shqipërisë, dhe kjo sasi e borxhit tani për tani është diku rreth 70 mijë megavatë-orë.
Buletini Ekonomik
Gjendja elektroenergjetike në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë dhe me tendenca të pasigurisë rreth furnizimit të konsumit të vendit, si pasojë e riparimeve që po zgjasin në dy njësi të rëndësishme të KEK-ut (në B1 dhe në A5 të termocentraleve aktuale).
Më saktësisht, nga të gjitha kapacitetet prodhuese të rrymës në Kosovë në bazë të thëngjillit, aktualisht në prodhim janë vetëm tre blloqe të termocentraleve, përkatësisht A3-shi dhe A4-shi i termocentralit Kosova A dhe B2 i Kosovës B. Prodhimi nga këto njësi mesatarisht sillet rreth 500-550 megavatë-orë (edhe sot, më 5 gusht 2023, prodhohej kjo sasi e rrymës). Më konkretisht, të dy blloqet e termocentraleve Kosova A prodhojnë gjatë ditës nga 150 megavatë secili, ndërsa B2-shi i Kosovës B, ka kapacitetin rreth 250 megavatë. Kësaj sasie duhet shtuar edhe dhjetëra megavatë të prodhuara nga të dy parqet e energjisë në bazë të erës, atij në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës si dhe një sasi minimale të prodhuar nga minihidrocentralet e vendit.
Ndërsa, siç dihet, B1-shi ka kohë që ndodhet në remont të planifikuar (riparim i detajuar i pajisjeve në kalldajë), punë këto që është paraparë të zgjasin rreth 3 muaj. Po kaq kohë, kanë zgjatur edhe punët rreth riparimit të stabilementeve të ndryshme të bllokut B2, tashmë në funksion.
Punët riparuese në blloqet e termocentraleve Kosova B u shfaqën të jenë si të domosdoshme para nisjes së instalimit të elektrofiltrave, që pas disa shtyrjeve, më në fund pritet të nisin në vitin e ardhshëm. Meqenëse instalimi i elektrofiltrave është proces goxha i komplikuar, do të kërkojë edhe më shumë kohë për ta finalizuar këtë projekt të rëndësishëm.
Sipas zyrtarëve të KEK-ut, meqenëse për procesin e instalimit të elektrofiltrave në blloqet e Kosovës B nevojiten më së paku 6 e më shumë muaj, është planifikuar që në vitin e ardhshëm instalimi i elektrofiltrave të bëhet një herë në njërin bllok dhe pastaj, pas përfundimit të të gjitha punëve të fillojë i njëjti proces në bllokun tjetër. Është paraparë, po kështu, që gjatë kohës sa do të zgjasë instalimi i elektrofiltrave, të bëhet edhe riparimi i detajuar i turbinave të termocentraleve Kosova B.
Projekti i modernizimit të turbinave, siç dihet, do të financohet nga BE-ja me diku rreth 55 milionë euro. Duhet thënë se sasia e prodhuar në kapacitetet vendore (e tëra-edhe në termocentralet edhe në impiantet nga 2 parqet e energjisë në bazë të erës dhe nga minihidrocentralet), në raste, edhe këtyre ditëve kur ende po mbanë mot i ngrohtë, nuk mjafton për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës, i cili në raste tejkalon 600 megavatëshin, ndërsa në orët e pikut edhe më shumë. Dhe në këto raste, KEK-, apo KEDS-i kushtimisht detyrohen të importojnë një sasi të energjisë elektrike për nevojat e vendit.
Të hënën (më 5 gusht 2023), në bursën hungareze HUPX, nga e cila rëndom importon Kosova energji elektrike, një megavat-orë gjatë orëve të ditës ka kushtuar 102 euro euro, ndërsa gjatë kohës së pikut, ky çmim ishte 100 euro. Rëndom, në orët e pikut, në tregjet ndërkombëtare, energjia kushton më shumë në orët e pikut, për dalim nga dita e sotme, kur çmimi i rrymës ishte thuaja simbolikisht më i lirë se sa në orët e tjera gjatë ditës. Ndërsa, çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursën shqiptare, ALPEX para dy-tre ditësh ishte 125.07 euro për një megavatë-orë, kurse çmimi i pikut – 283.06 euro/MËh, kurse çmimi minimal ishte 92.2 euro për megavatë.
Siç dihet, Kosova, për shkak të strukturës së shpenzuesve të rrymës, ku konsumi dominohet gjithnjë nga konsumatorët e grupit të amvisërisë, gjatë natës edhe këtyre ditëve ndodhë të ketë teprica të rrymës, të cilat ose eksportohen, ose dërgohen në Shqipëri, si kthim borxhi, të cilin Kosova e ka krijuar gjatë dimrit që shkoi si rrjedhojë e mungesës së energjisë elektrike nga kapacitetet e veta dhe pasjes së bollshme të rrymës në sistemin elektroenergjetik shqiptar si rezultat i të reshurave të shumta.
Kosova, përkundër kthimit të kohëpaskohëshëm gjatë natës së borxhit ndaj KESH-it, ende ka një sasi jo të vogël borxhi ndaj Shqipërisë, dhe kjo sasi e borxhit tani për tani është diku rreth 70 mijë megavatë-orë. Vjet në këtë kohë, Kosova kishte deponuar diku mbi 150 mijë megavatë-orë rrymë në KESH, dhe sasia e huazuar gjatë verës së kaluar, ishte e mirëseardhur gjatë kohës së dimrit, kur Kosova nuk ishte në gjendje që me prodhimin vetanak të plotësojë nevojat e veta me energji elektrike. Gjendja aktuale në stabilimentet prodhuese të Kosovës është një sinjal goxha i qartë se dimri i pritshëm do të jetë pa mëdyshje sfidues sa i përket furnizimit të konsumit të Kosovës me energji elektrike. /Buletini Ekonomik/