Gjykata Kushtetuese ka dalë me aktgjykim lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme për rastin e kompanisë “Kelkos”, për hidrocentralet në Deçan. Kushtetuesja e ka rrëzuar vendimin e Supremes, me të cilin kjo gjykatë i kishte pezulluar lejet dhe licencat për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh.
Në Aktgjykimin e Kushtetueses, thuhet se deri në vendimarrjen e Supremes, mbetet në fuqi mbetet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, e cila i kishte dhënë të drejtë kompanisë “KELKOS”, duke refuzuar kërkesën për pezullim të përkohshëm të lejeve dhe licencave të KelKos Energy të lëshuara nga MMPHI dhe ZRrE, raporton Express.
Sipas Kushtetueses, Aktgjykimi i Supremes, “është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.”
“Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, deri në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme, në fuqi mbetet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, i cili ka refuzuar kërkesën e palëve paditësepër pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Gjykata në fund theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin/shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara të Ministrisë përgjegjëse derisa gjykatat e rregullta të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të lartcekura është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi I Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre lidhur me meritat e padisë ndaj vendimeve të kontestuara të Ministrisë përkatëse dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, thuhet në njoftim.