Hungaria, shteti me inflacionin më të lartë në BE

Nga Les Nemethy, CEO Euro-Phoenix M&A Advisors, ish-bankier në Bankën Botërore, dhe Dr. Peter Akos Bod, profesor i ekonomisë dhe ish-guvernator i Bankës Qendrore të Hungarisë

Sipas njoftimit të Eurostat më datë 19 korrik 2023, Hungaria kishte inflacionin më të lartë në Eurozonë (dhe jo me një diferencë të ngushtë), afërsisht sa trefishi i mesatares së BE-së dhe pothuajse sa dyfishi i vendeve të tjera me inflacion shumë të lartë (Polonia, Çekia dhe Sllovakia).

 

Reklama e sponzorizuar

 

Grafiku i mësipërm tregon nivelin shumë më të lartë të inflacionit në Hungari, në krahasim me vendet e tjera. Analiza e mëposhtme është me interes edhe për lexuesit që nuk janë hungarezë.

Në këtë artikull, nuk do të thellohemi në arsyet e përgjithshme për inflacionin, por vetëm në faktorët që e bëjnë inflacionin jashtëzakonisht të lartë, një dukuri “Hungaricum” (pra një tipar unik hungarez). Janë gjashtë faktorë që vihen re vetëm në Hungari, ose ku Hungaria “ua kalon” të tjerëve:

1. Zhvlerësimi i monedhës, si strategji për konkurrencë. Hungaria është një ekonomi e hapur, e mbështetur në eksporte, të cilat dërgohen kryesisht në BE. Rritja e produktivitetit hungarez (me rreth 0.8% në vit midis viteve 2010 dhe 2022) ishte afërsisht sa gjysma e mesatares së BE-së.

Renditja e Hungarisë në fushën e konkurrencës (sipas IMD-së) ra vitin e kaluar nga vendi i 39-të, në vend të 46-të. Qeveria hungareze ka bërë pak përpjekje në formën e investimeve afatgjata në konkurrencë dhe ka një mungesë të madhe investimesh në fushën e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Prandaj, qeveria duket se është e detyruar të lejojë zhvlerësimin e vazhdueshëm të Forintës hungareze (HUF), për të ruajtur konkurrencën. Në vend që të ketë një kurs këmbimi të fiksuar, Forinta hungareze është në mëshirë të forcave të papritura të tregut dhe spekulimeve.

 

 

Duke qenë se Forinta hungareze ka rënë me rreth një të katërtën gjatë pesë viteve të fundit, çdo vit janë importuar disa pikë përqindje inflacion.

2.Deficiti buxhetor. Në vitin 2020, një deficit i lartë u justifikua nga Covid-19. Arsyeja pse deficiti i lartë buxhetor, ulja e taksave dhe subvencionet bujare kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2021, mund të jetë për të tërhequr votues për zgjedhjet e vitit 2022. Në vitin 2022, deficiti buxhetor mbeti i lartë në mënyrë të pajustifikueshme, duke arritur në 6.2% të PBB-së.

3.Oferta monetare është rritur me shpejtësi gjatë pesë viteve të fundit (me përjashtim të një rënieje gjatë vitit të kaluar):

 

 

4.Keqinvestimi. Megjithëse investimi zakonisht ka si efekt përmirësimin e produktivitetit, kjo nuk vlen kur burimet janë shpërndarë gabimisht:

a) Investimet “prestigjioze” të qeverisë, si stadiumet e futbollit, ose blerja e bankave apo kompanive të telekomunikacionit.

b) Investimet e sektorit privat që janë shtrembëruar nga kriteret e granteve apo kreditë e lira.

5. Banka Qendrore e Hungarisë, së fundmi njoftoi se kishte pësuar humbje masive (400 miliardë HUF në vitin 2022, me parashikime për humbje prej 2000 miliardë HUF në vitin 2023), që rrjedhin nga bilanci i saj.

Ka një sërë programesh me hua të subvencionuara, ndërkohë që kostot e shlyerjes së borxhit janë rritur në mënyrë të pashmangshme.

Kohët e fundit, qeveria deklaroi se synonte të rishkruante ligjin e Bankës Qendrore, për t’u siguruar që humbjet të mos përballohen nga buxheti qendror, duke i mundësuar Bankës Qendrore disa vite kohë për t’i kompensuar këto humbje.

Një bankë qendrore mund të vazhdojë të funksionojë me humbje apo edhe me kapital negativ, por kjo mund të ulë besimin tek autoritetet monetare, veçanërisht në një shtet që ka marrë vlerësim të rrezikut të kredisë prej BBB/BBB-.

6.Korrupsioni nxit inflacionin. Transparency International sapo e ka renditur Hungarinë si vendin më të korruptuar në Bashkimin Europian. Qeveria paguan një çmim të fryrë nga korrupsioni, për shumicën e blerjeve që kryen.

Tre shpjegimet kryesore të qeverisë për inflacionin janë të pandershme:

-Lufta në Ukrainë. Kjo prek edhe Poloninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Hungarinë. Nuk mund të shpjegojë pse inflacioni në Hungari është më i lartë!

-Çmimet e larta të energjisë. Ndërsa çmimet e energjisë po arrinin majat, Hungaria lidhi kontrata afatgjata energjetike me Rusinë. (Vetë përmbajtja e kontratave është konfidenciale). Dhe ndërsa çmimet e energjisë me shumicë ranë në të gjithë Europën gjatë 6-9 muajve të fundit, çmimet me pakicë të gazit natyror dhe energjisë elektrike në Hungari, kanë mbetur në nivele të larta shqetësuese.

-Fryrja e çmimeve nga kompanitë shumëkombëshe. Kompanitë shumëkombëshe janë të pranishme edhe në Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe në përgjithësi në BE, prandaj kjo nuk mund të shpjegojë pse inflacioni është kaq i lartë në Hungari.

(Megjithatë, kompanitë shumëkombëshe hungareze të ushqimit dhe kompanitë hungareze të energjisë, paguajnë taksa ndëshkuese që ndikojnë në inflacion).

Duket se qeveria ka vënë një këmbë mbi gaz (me rritjen e deficitit buxhetor), dhe këmbën tjetër mbi frenë (normat e interesit të Bankës Qendrore janë rritur në mbi 15%) dhe nuk është e qartë se kush po e nget makinën. Pasiguria e lartë ndikon në rritjen e inflacionit.

Ndërkohë, inflacioni bazë (duke përjashtuar çmimet më të paqëndrueshme si ato të energjisë dhe ushqimit), ka mbetur në nivelin 20.8% që nga qershori 2023, që do të thotë se inflacioni po “vuloset”.

Pagat u rritën me 17.9% që nga muaji maj, që do të thotë se pagat reale ranë në gjysmën e parë të vitit; një pasojë e dhimbshme shoqërore e dezinflacionit të ngadaltë e të vazhdueshëm.

Të varfrit, të cilët zakonisht shpenzojnë një përqindje më të lartë të të ardhurave për produktet ushqimore dhe energjinë, po vërejnë se pagat e tyre janë “ngrënë” nga inflacioni i ushqimeve prej 29% dhe çmimet rekord të energjisë.

Pensionistëve po u pakësohen kursimet. Siç ndodh në shumicën e rasteve, janë njerëzit e zakonshëm ata që paguajnë çmimin për qeverisjen e dobët.

Ne nuk parashikojmë se do të ndryshojë ndonjë prej faktorëve të mësipërm në të ardhmen e afërt.

Prandaj, inflacioni në Hungari ka të ngjarë të vazhdojë të jetë shumë më i lartë se ai në BE. As objektivi i qeverisë për të arritur nivele njëshifrore të inflacionit këtë vit, nuk duket realist.