Janari 2024!

Liridon Alidemaj

Përveç temperaturave të larta verore, ky vit do të mbahet mend edhe për të ashtuquajturën krizë për punëtorë. A është vërtetë krizë; apo rritje e vetëdijësimit të punëkërkuesve lidhur me të drejtat themelore që i takojnë nga marrëdhënia e punës?

Shkruan: MSc.Liridon Alidemaj

Mendoj që PO, rritje e vetëdijësimit!

Sot, pothuajse çdo të dytin person nën flladin e terasave dhe nën shoqërimin e espresso/makiatove e dëgjon duke thënë: Mirë ka me ju bo bizneseve, s’ka ma skllevër, sa të vjen Janari do e shohin etj, etj, por koha ecën shpejtë dhe në fund të ditës, çdokujt i rritet vlera në bazë të eksperiencës që ka.

Reklama e sponzorizuar

Ne si shoqëri, preferojmë që në vendin tonë ta mbajmë krenarinë dhe të synojmë pozita të larta dhe ‘comfort zonën’, ndërsa jashtë shtetit punojmë dhe e zbatojmë secilin urdhër.

Është fakt se faktori kryesor motivues për punonjësin është paga, por në praktikë nuk po rezulton të jetë krejtësisht e saktë, sepse ka biznese që kanë bërë rritje të pagave, por performanca e stafit të tyre ndaj punës ka shkuar duke rënë, dhe kjo është shndërruar tashmë në një fenomen!

Sigurisht që mund të vijë edhe nga zhgënjimi/dëshpërimi. Nuk është kot shprehja 99% punë, 1% talent. E si duket tek ne po është e kundërta (jo tek të gjithë kuptohet)!

Por, pse nuk flitet edhe për anët pozitive që do i ketë çështja e liberalizimit të vizave si psh: tregu i punës do të ristrukturohet, do të ketë përmirësim të mirëqenies në punë, nuk do të punohet pa kontrata pune, do të rritet edhe më shumë vetëdijësimi i punëkërkuese, por edhe bizneset shpresoj se do t’i ndryshojnë strategjitë e ‘doing business’, duke filluar nga qasja e tyre, e deri te vlerësimi i stafit të tyre.

Pra, mendoj se do ketë edhe gjëra pozitive, e jo vetëm negative siç po i shohim edhe në media dhe rrjete sociale me shprehjet: Krizë, Zbrazet Kosova, bizneset vuajnë për punëtorë etj, etj.

Për fund, si person me ekspertizë në fushën e Burimeve Njerëzore, nuk më gëzon fakti që po importojmë fuqi punëtore nga vende të ndryshme, sepse bizneset shumë më mirë do të ishte të fokusohen së pari në ruajtjen e stafit aktual të tyre, pastaj në ndërtimin e strategjive rreth rekrutimit të stafit të ri. E kemi rininë si një arsenal të vërtetë, vetëm duhet të jeni sa më atraktiv për t’i bërë pjesë në kompanitë, duke iu ofruar siguri në punë dhe stabilitet.

Nuk është kurrë vonë për të kuptuar që ndryshimet janë normale dhe njerëzore, andaj dua ta bindi edhe vetveten se Janari 2024 do të sjellë edhe gjëra pozitive.