Kosova merr kredi 20 milionë euroshe për dixhitalizim – Banka Botërore: Investimin kthejeni në rezultate

Kosova ka nënshkruar Projektin për Qeverisjë Dixhitale, i financuar nga Banka Botërore, raporton Ekonomia Online.

Projekti me vlerë prej 20 milionë eurosh, do të fokusohet në tri komponentë, në transformimin dixhital të Qeverisë, atë për shërbime publike, si dhe ngritjen e kapaciteteve.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas nënshkrimit të projektit.

Reklama e sponzorizuar

“Projekti ka tri komponentë, transformimin digjital të Qeverisë, transformimin digjital për shërbimë publike dhe ngritjen e kapaciteteve”.

“Te transformimi digjital i Qeverisë, një shembull i kësaj, do të ishte nënshkrimi digjital, i cili na është kërkuar nga Banka Botërore”.

“Transformimi digjital për shërbime publike, shumë certifikata dhe dokumente mund të shkarkohen online, pa pasur nevojë për të pritur në sportele, por do të investohet edhe më shumë në këtë aspekt”.

“Ngritja e kapaciteteve në mënyrë të qëndrueshme, që edhe pasi që të përfundojë projekti, të kemi staf dhe sisteme të qëndrueshme”.

“Ky projekt që financohet nga Banka Botërore ka 30 vjet maturitet, me normë interesi 1.25%, që është një normë e mirë”, ka thënë Murati.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Massimiliano Paolucci, ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ka internet të shtrirë në 100 për qind të territorit, por se kjo duhet të përkthehet edhe në rezultate.

Paolucci shtoi se projekti duke përmirësuar infrastrukturën digjitale, do ta përmirësojë edhe jetën e qytetarëve.

“Ky projekt do ta përmirësojë infrastrukturën digjitale e njëkohësisht edhe jetën e qytetarëve. Kosova ka shënuar disa të arritura për transformimin digjital. Është vendi i vetëm në Evropë që ka mbërritur ta shtrijë internetin në të gjithë territorin”.

“Por, këto përparësi nuk po përkthehen në rezultate. Digjitalizimi do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e grave. Jemi të përkushtuar për ta suportuar Kosovën edhe më tutje”.