Situata e tensionuar në veri të vendit do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike, vlerësojnë njohës të fushës. Krahas kësaj, ata kanë thënë se krizat në veri do të ndikojnë edhe në ulje të investitorëve të huaj, raporton Ekonomia Online.
Kritika kanë edhe për qasjen e Qeverisë ndaj ekonomisë vendëse, teksa e konsiderojnë Qeveri pa program të qartë për zhvillim ekonomik.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në AAB, Medain Hashani ka thënë për Ekonomia Online se krizat e shpeshta reflektojnë në mungesë të investitorëve. Ai ka adresuar kritika edhe në adresë të Qeverisë për mungesë të programit për zhvillim ekonomik.
“Fillimisht nëse e analizojmë ekonominë në tersi të Kosovës, ne kemi pasur stagnim ende pa ndodhur konflikti në veri, gjatë javës së kaluar dhe automatikisht kjo reflektohet edhe në mungesën e stabilitetit politik të Kosovës, kështu që një mungesën e stabilitetin politik të Kosovës, gjë që një mungesë në stabilitetin politik automatikisht reflekton edhe te investitorët e huaj të cilët në njëfarë mënyre kanë pasur dëshirë me investuar në Kosovë”, ka thënë Hashani.
Ai konsideron se Qeveria nuk është orientuar në zhvillim ekonomik por në ngritje të papunësisë. Shkak për këto sipas tij janë masat që po i ndërmerr ekzekutivi.
“… mirëpo për dallim nga zhvillimi ekonomik që duhet të jetë në nivelin e përgjithshëm të Kosovës, unë mendoj që kjo Qeveri, ekonominë e ka zhvendos në pikën e pestë apo të gjashtën të programit të saj, sepse kemi një Qeveri e cila nuk ka një program të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit, kemi një Qeveri e cila nuk është e orientuar nga ana e zhvillimit por vetëm nga ana e ngritjes së papunësisë në Kosovë, gjithmonë kjo duke u bazuar në masat që është duke i ndërmarrë në subvencionimin e shtresave sociale”, ka thënë ai.
Se krizat po e dëmtojnë ekonominë kosovare e thotë edhe kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj. Ai për Ekonomia Online thotë se investitori potencial nuk investon në një vend ku i rrezikohet pasuria.
“Sa i përket në fushën e ekonomisë, është e vërtetë që imazhi dhe veprimet e tilla krijojnë pasiguri në investitorët e huaj dhe asnjë investitorë i huaji nuk vjen me investuar në një vend ku pasuria e tyre, investimet e tyre nuk janë të sigurta dhe shfaqin vazhdimisht skena të tilla”.
“Ne shpresojmë së bashku, duke u bashkuar skena politike, coftë pozitë, opozitë, të kryejnë sa më shpejtë marrëveshjen në raport me Serbinë dhe gjithmonë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ne e dimë që aleatë më të mirë dhe më të fuqishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka me pas”, thotë Dreshaj.
Ndonëse Kosova nuk ka pasur për rreth dy vite investitorë të huaj, Dreshaj e sheh shqetësuese për shkak të pakove fiskale. Këto ai ka kërkuar ndryshime, njëjtë si vendet e rajonit.
“Ne jemi dëshmitar që dy vitet e fundit kemi pas probleme sa i përket investitorë të huaj, sepse nuk e kanë shpreh gatishmërinë për me ardh për të investuar dhe ne e dimë që nuk kemi asnjë investitorë brenda këtyre 2 viteve të cilët kanë ardhur të investojnë në Republikën e Kosovës”.
“Është e vërtetë që skena të tilla dhe veprime të tilla e dëmtojnë imazhin edhe sigurinë edhe njëkohësisht investitorët bëhen skeptik për të ardhur në Republikën e Kosovës, kështu që ne mendojmë që duhet të ulemi dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe ne si Oda Ekonomike si lidhje e bizneseve dhe bashkë me odat tjera të punojmë në atë drejtim, të bëjmë ndryshime të pakove fiskale dhe t’i bëjmë ndryshimet edhe pakot e investitorëve të huaj në Republikën e Kosovës, që tregu i Kosovës dhe Kosova në përgjithësi të jetë një vend atraktiv, për investitorët e huaj, sepse ne e dimë që shtetet përreth janë duke bërë ndryshime rrënjësore në pakot fiskale dhe njëkohësisht po e bënë stimulimin e investitorëve të huaj të vijnë dhe të investojnë në vendet e tyre”, u shpreh Dreshaj.