Murati reagon pasi Kushtetuesja pezulloi nenin që parasheh faljen e 100 eurove: Prapa vendimit qëndron “garda e vjetër”

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ministri i Financave Hekuran Murati, i cili thotë se Neni 5 e përcakton që vendimmarrja për falje u takon komunave.

“Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, ka shkruar Murati në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave”, vijon Murati.

Ai thotë se masa e pezullimit është vendosur deri më 30 nëntor, mjaftueshëm sa për të qenë më vonë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është me 30 shtator.

Murati thotë se pas gjithë kësaj fshehet garda e vjetër.

“Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese””, ka shkruar Murati./Telegrafi/